Connect with us

Politike

Llafe grash te çesma e fshatit/ Kikia: Fundi i Ramës po matet me kilometra, jo me orë…

Gazetari Mentor Kikia analizoi situatën politike në vend duke theksuar se rënia e qeverisë nuk është një proces që matet me kohë të shpejtë, por me ‘kilometra’ të mbushur me pengesa politike dhe institucionale.

Sipas tij, retorika për ‘fundin e afërt’ të qeverisë është përdorur shpesh, duke rritur pritshmëri të menjëhershme që më pas janë kthyer në zhgënjim. Kikia nënvizoi se përpjekjet e kryeministrit për të kompensuar erozionin e brendshëm përmes politikës së jashtme dhe situata e rënduar me drejtësinë janë dy tregues kryesorë se qeveria ndodhet në një fazë fundore, por pa një afat të saktë se kur ky proces do të përmbyllet.

Mentor Kikia: Pa pyetur shkohet për një orë me këmbë, me vrap, me makinë, me avion. Ndërkohë që këtë distancën për të shkuar tek fundi i qeverisë, po e masim me kilometra. Jo me kohë, që kësaj qeverie i duhet edhe dy muaj dhe të bjerë apo edhe tre muaj edhe po një vit. Është metaforë, por pyetja prapë pas saj që pason është për sa kohë do ta bëjmë këtë kilometrin? Se nëse ecim shpejt, e bëjmë për dy muaj. Nëse ecim dalëngadalë, ka pengesa, gropa, ferra që duhen shkulur, mund të na zgjasë një vit e më shumë.

S’e kam dot një përgjigje për këtë, sepse kam përshtypjen që ai deadlajni që ka vënë zoti Berisha, edhe pse jo kohor, por figurativ, më shumë më duket një përpjekje për të mbajtur gjallë frymëzimin e njerëzve që e duan këtë gjënë, për t’i thënë që o burra dhe pak se ja e rrëzuam, ja edhe pak, pasi për hir të vërtetës, është abuzuar pak me fundin e qeverisë. Pritshmëritë janë ngritur menjëherë, shumë lart, ka shkuar në pikën fundore. Organizohet një protestë, deklarohej që kjo do shënojë fillimin e fundit, kjo shënon fundin, sonte do bjerë. Dhe situata që ka vazhduar, ka prodhuar edhe atë mosbesimin, duke u shndërruar një lloj bumerangu, sepse nëse konsumohet shpesh, bëhet inflamatore si fjalë, si përdorim, nuk ngjit më.

Nëse do të duam të shikojmë, vërtet këtë segmentin, të përfytyrojmë një dërrasë të zezë ku aty është ky segmenti nga pika A në pikën B që është 1 km. Unë shikoj dy tregues që e dëshmojnë këtë segmentin, por pa thënë dot nëse është 1 km apo 10 km. Përpjekjet e kryeministrit të sforcuara për të prodhuar politikë të jashtme, të cilën ta thërrasë në ndihmë për të mbathur erozionin që i është shkaktuar në marrëdhëniet këtu brenda. Dhe situata e vështirë e krijuar në raport me drejtësinë, me çështjet e hapura njëra pas tjetrës dhe ato që përfliten që do hapen, që në fakt nuk kanë rezultuar që në Shqipëri të jenë llafe të grave tek çezmja e fshatit, pasi përgjithësisht çfarë është hedhur për konsum publik, deri diku ka dalë, ka dalë rrugës.

Advertisement