Politike
Lubonja: Berisha e shiti Himarën për interesa
Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në News 24 tha se kryeministri Edi Rama është kthyer në një Maduro të Shqipërisë.
Sipas tij, Rama ka kapur shtetin dhe fikson rezultatin e zgjedhjeve siç dëshiron. Për Lubonjën, Rama veproi kështu edhe në zgjedhjet e Himarës. Një kritikë analisti e kishte edhe për opozitën, duke thënë se mund të jetë në grahmat e fundit të saj dhe se mund të ketë ‘shitur’ zgjedhjet në Himarë, për shkak të ndonjë interesi.
“PS del 1500 vota përpara në Himarë, kur shumë nga funksionarët e PS dalin të përfshirë në grabitje tokash. Kjo nuk ka moral. Por, duke kapur të gjitha institucionet, rezultatet dalin ashtu si do Rama. Janë fenomene që duhen hetuar, të tillat si rritja e popullatës në një bashki të caktuar në kohë zgjedhjesh. Dyshoj se opozita ka shitur zgjedhjet, për ndonjë interes në Himarë. Kam dyshime se ka pasur pazar dhe me Greqinë për zgjedhjet në Himarë, e madje ndoshta ka pasur marrëveshje në heshtje dhe me Belerin vetë.
Ka shumë persona që ‘nuk iu ha shumë meraku i demokracisë’, por i interesave personale. Më vjen keq ta them, por këto duken si grahmat e fundit të opozitës në Shqipëri. Kur ndodh që biznesmenët kapen nga shteti, kur qeveria kap shtetin, kjo do ndodhë. Opozita ndoshta do të mbijetojë duke bërë fasadën”, tha Lubonja.