Bota
Lufta Izrael-Hezbollah/ Al Jazeera: 700 të vdekur që nga sulmet e të hënës
Shifrat e viktimave që nga sulmet e të hënës me mbi 2 mijë raketa të lëshuara nga Izraeli sa vjen dhe bëhet më tragjik. Sipas Uashingtonit, kryeministri Netanyahu dha OK për armëpushimin, por më pas urdhëroi të insistonte në sulmet kundër pozicioneve të Hezbollahut. Dhe sipas Al-Jazeera, të paktën 700 njerëz kanë vdekur si rezultat i sulmeve izraelite në Liban, që nga e hëna e kaluar. Vlerësimi është raportuar në titullin hapës të versionit online të rrjetit televiziv të Katarit. Mes viktimave numërohen edhe 50 fëmijë. Sirenat në Tel Aviv dhe qytete në Izraelin qendror pasuan lëshimin e një rakete edhe nga Jemeni, si përgjigje ndaj Izraelit. Kjo u komunikua nga IDF, e cila saktësoi se raketa “u kap me sukses nga sistemi i mbrojtjes ajrore Arrow. “Sirenat dhe shpërthimet u dëgjuan pas përgjimit dhe rënies së copëzave”, theksoi ushtria izraelite, sipas Al-Jazeera. IDF gjithashtu ka pohuar se ka vijuar sulmet përgjatë këtyre ditëve, duke goditur 200 objektiva të rinj.
Nuk ka asnjë dritë, të paktën për momentin, për një armëpushim në Liban. Sipas La Repubblica, propozimi amerikan dhe francez për një ndalim 21-ditor të armiqësive, i mbështetur nga BE dhe vende të tjera, u refuzua nga Benjamin Netanyahu, i cili sipas Uashingtonit fillimisht pranoi armëpushimin, por më pas urdhëroi të insistonte në sulme kundër pozicioneve të Hezbollahut. Ndërkohë, Ministria e mbrojtjes së Izraelit konfirmoi se kishte eliminuar komandantin e divizionit ajror të Hezbollahut, gjithashtu përgjegjës për dronët e organizatës shiite, Muhammad Hussein Sarur (i njohur edhe me emrin e tij de guerre Abu Saleh), në një bastisje të kryer në periferi jugore të Bejrutit.