Aktualitet
LUFTA NE LIBAN/ BILANCI: MBI 200 TE VDEKUR
Bombardimet masive të Izraelit në Liban po kërcënojnë marrëveshjen e paqes të arritur mes SHBA-së dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, për një armëpushim 2-javor. Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Liban, sipas burimeve nga Departamenti i Mbrojtjes Civile të vendit, ka shkuar në të paktën 254 persona, ndërsa 1,165 janë plagosur.
Teherani ka kërkuar ndërprerjen urgjente të sulmeve izraelite në Bejrut, me qëllim që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Mediat e huaja raportojnë se Irani ka bllokuar kalimin e anijeve cisternë të naftës në Ngushticën e Hormuzit, derisa Izraeli të ndalë sulmet në Liban (sulme të cilat izraeli pretendon se synojnë objektivat e Hezbollahut, por që në fakt po godasin rëndë edhe civilët). Paralajmërimi i Gardës Revolucionare ishte i fortë: ‘anijet që kalojnë Hormuzin pa leje, do të shkatërrohen’.
Por Izraeli pretendon se armëpushimi i nënshkruar mes Iranit dhe SHBA-së nuk përfshin Libanin. Të njëjtën gjë pretendoi edhe Shtëpia e Bardhë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu vendosmërinë për t’i vijuar sulmet kundër Hezbollahut në Liban, sulme të cilat po marrin mijëra jetë civilësh. Për vrasjen e civilëve të pafajshëm ka reaguar edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila i ka bërë thirrje Izraelit për ndaljen e sulmeve.