Bota
Luftë në Shtëpinë e Bardhë, CIA sfidon marrëveshjen e Trumpit me Iranin
Një marrëveshje paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e shpallur më 14 qershor, ka shkaktuar mosmarrëveshje të forta brenda administratës amerikane, raportoi Axios, duke cituar burime të njohura me diskutimet.
Sipas raportit, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka informuar presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë se të dhënat e inteligjencës amerikane ngrejnë dyshime serioze mbi gatishmërinë e Iranit për të bërë lëshimet bërthamore që kërkojnë SHBA-të në një marrëveshje përfundimtare.
Ratcliffe nuk është i vetmi skeptik. Burimet e Axios thonë se sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kanë shprehur shqetësime lidhur me memorandumin e mirëkuptimit të shpallur të dielën. Në anën tjetër, zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbështetur marrëveshjen.
Përpara shpalljes së saj, Trump zhvilloi një seri takimesh me këshilltarët e tij për të shqyrtuar informacionet e mbledhura nga agjencitë amerikane të inteligjencës. Sipas dy burimeve, këto të dhëna tregonin se mënyra se si zyrtarët iranianë diskutonin marrëveshjen mes tyre nuk përputhej me mesazhet që u transmetonin ndërmjetësve dhe negociatorëve amerikanë.
Ratcliffe dhe Rubio argumentuan se këto informacione vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Teheranit për të pranuar masat bërthamore që kërkon Uashingtoni. Një burim i cituar nga Axios tha se “synimet e Iranit nuk përputhen me angazhimet që parashikon marrëveshja”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se presidenti Trump dëgjon të gjitha pikëpamjet përpara se të marrë vendime, por mbetet autoriteti përfundimtar. Sipas tij, memorandumi respekton vijat e kuqe të administratës amerikane, duke garantuar që Irani të mos ketë armë bërthamore, të mos ruajë uranium me pasurim të lartë dhe të mos përdorë furnizimin global me energji si mjet presioni.
Teksti i plotë i marrëveshjes prej 14 pikash nuk është publikuar ende. Megjithatë, një burim që pretendon se e njeh përmbajtjen e dokumentit tha se Irani mund të përfitojë më shumë sesa ofron në këtë fazë, përveç rastit kur pranon një marrëveshje bërthamore që plotëson objektivat amerikane.
Memorandumi synon të zgjasë armëpushimin aktual dhe të hapë një periudhë 60-ditore negociatash, e cila mund të zgjatet me pëlqimin e të dyja palëve. Në kuadër të këtyre bisedimeve, Irani përsërit zotimin e tij se nuk do të zhvillojë dhe nuk do të sigurojë armë bërthamore.
Dokumenti parashikon gjithashtu që gjatë negociatave Irani të ruajë status quo-në e programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-të të mos vendosin sanksione të reja dhe të mos dislokojnë forca shtesë në rajon. Në rast të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, Uashingtoni do të tërhiqte brenda 30 ditësh forcat e mobilizuara për konfliktin dhe do të fillonte heqjen graduale të sanksioneve ndaj Iranit.
Kundërshtarët e marrëveshjes argumentojnë se Irani ka pak gjasa të pranojë kushtet amerikane dhe se, ndërkohë, mund të përfitojë nga lëshimet e parashikuara në memorandum. Një zyrtar i lartë amerikan tha se brenda dy ose tre javësh do të bëhet e qartë nëse Teherani është serioz për lëshimet bërthamore. Në të kundërt, procesi mund të ndërpritet pa i sjellë Iranit përfitime të konsiderueshme.
Senatori republikan Lindsey Graham deklaroi për Axios se është i shqetësuar nga dallimet mes interpretimit iranian dhe atij amerikan të marrëveshjes, duke kërkuar publikimin e menjëhershëm të dokumentit.
Një tjetër element i rëndësishëm i memorandumit lidhet me ngushticën e Hormuzit. Sipas burimit të cituar nga Axios, Irani do të angazhohej të lehtësonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa tarifa për 60 ditë, ndërsa SHBA-të do të reduktonin gradualisht bllokadën e tyre deri në heqjen e plotë brenda 30 ditësh.
Çështja më e debatueshme mbetet ajo e fondeve dhe aseteve iraniane të ngrira. Memorandumi lë hapësirë për interpretime, duke përcaktuar se SHBA-të marrin përsipër t’i vënë këto fonde në dispozicion gjatë zbatimit të marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë e përshkruajnë këtë si një model “pagesë sipas performancës”, ku lirimi i fondeve do të varet nga hapat konkretë që do të ndërmarrë Irani.