Connect with us

Politike

“Luftë për mish të njomë”/ Berisha komenton deklaratën e Ramës për shpopullimin: Turp i shekullit

Kreu i PD-së Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e sotme deklaratën e kryeministrit Edi Rama të bërë gjatë takimit që mbajti një ditë më parë në Gjermani ku foli për shpopullimin. Rama e deklaroi largimin e të rinjve shqiptarë nga vendi si një “luftë për mish të njomë”, ndërsa u shpreh se shqiptarët janë të pëlqyer nga perëndimi pasi janë të bardhë.

Berisha e ka cilësuar këtë deklaratë si turpin e shekullit, ndërsa shton se Rama ka një përbuzje të madhe për qytetarët shqiptarë. Në fjalën e tij në tubimin qytetar Berisha përfundoi se 33 përqind e popullatës kanë braktisur këto 8 vitet e fundit Shqipërinë, nga keqqeverisja e Ramës.

“Këto zhvillime dramatike po rrokullisin kombin në honet e pasigurisë. Po bëjnë që shqiptarët të largohen pas sirianëve në luftë civile më shumë se të gjitha kombet e tjera nga vendi i tyre.Kreu i narkoshtetit, në aktin më cinik, më të turpshëm, deklaronte dje se fajin për këtë se ka Gjermania, pasi ju doni mish të freskët.

Urdhëroni të dashur qytetare dhe qytetarë, se çfarë koncepti ka ky për fëmijët tuaj, për vajzat tuaja, për djemtë tuaj. Një mish i freskët që shitet në Europë. A ka përbuzje më të madhe, përçmim më të madh? As Enver Hoxha, as Muamar Gadafi, as Asadi i Sirisë dhe asnjë njeri nuk zbret në këtë standard amoral. Të shpallë mish të freskët të rinjtë dhe të rejat që me politikat dhe vjedhjet që bën, i detyron të largohet nga vendi i tyre.

Miqtë e mi, në një vend të lirë, në një vend me ligj, qytetarët begatohen nga viti në vit.Po, liria sjell prosperitet. Liria sjell begati. Dhe në këtë Shqipëri dhe jo në ndonjë tjetër, gjer në vitin 2013, shqiptarët, ndonëse lëviznin, ndonëse kishte emigracion minimal, numri i tyre në Shqipëri, banorët në Shqipëri rriteshin nga viti në vit. Ndërsa sot, 33 përqind e popullatës kanë braktisur këto 8 vitet e fundit Shqipërinë. Dhe këta 1 milion e ca shqiptarë, Edi Rama që jeton për vete në saraje të ndërtuara me para të vjedhura, që jeton për vete mbi Tiranë në ajër të freskët, me kopsht 5 mijë metra, këta i quan mish i freskët. O turp i shekullit.O njeri i pashpirt.Po si të nxjerr ty goja një fjalë të tillë për të rinjtë shqiptarë, për fëmijët shqiptarë”,- tha Berisha.

Advertisement