Connect with us

Sport

Luka Modric: Spanja është favorite, por ne duam të arrijmë diçka të madhe

Spanja do të përballet me Kroacinë në raundin e parë të fazës së grupeve të Euro 2024. Luka Modric, ikona e përfaqësueses ballkanike, shprehet se “La Roja” mbetet favorite, por pa harruar të kujtojë se ekipi i tij befasoi në dy Botërorët e fundit:

“Ata janë një nga favoritët në këtë kompeticion. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe ne duhet të bëjmë më të mirën. Jemi mësuar të bëjmë surpriza. Ne mund të ndikojmë vetëm në atë që ndodh në fushë. Forca më e madhe e këtij ekipi është uniteti, nuk do të lodhem ta përsëris”, tha 38-vjeçari në konferencë për shtypin.

Krahas skuadrës spanjolle, kroatët përballen edhe me Italinë dhe Shqipërinë:

“Është një grup i vështirë, ndoshta më i vështiri në këtë turne, por vitet e fundit kemi treguar se luajmë në një nivel shumë të lartë dhe se jemi një nga ekipet më të mira në botë. Këtë herë mund ta përsërisim. Shpresojmë të arrijmë diçka të rëndësishme”, shtoi ai.
Mesfushori i Realit të Madridit është përballur disa herë gjatë karrierës së tij me spanjollët, madje është eliminuar nga kampionati i fundit europian pikërisht nga Spanja, por thekson faktin se ky është një ekip shumë ndryshe:

“Ky brez është shumë i fortë, me plot të talente. Një përzierje e mirë lojtarësh më me përvojë, të mësuar me këto lloj turneu. Ata janë shumë të shpejtë, veçanërisht në krahë. Unë kam një mendim pozitiv. Në të kaluarën, baza ishte Barcelona dhe Reali i Madridit, por tani është ndryshe. Trajneri po u jep më shumë mundësi të tjerëve, që luajtën shumë mirë këtë vit”.

Lojtari 38-vjeçar është përballur edhe me një fakt kurioz: në paraqitjen e tij të parë në një kampionat europian, në vitin 2008, 18 vite më parë, Lamine Yamal, kundërshtari i tij këtë të shtunë, ishte vetëm 10 muajsh…

“Kur i dëgjoj këto gjëra më bëjnë të ndihem shumë i vjetër (qesh). Vitet nuk kanë shumë rëndësi, e rëndësishme është ajo që tregohet në fushë. Këtë vit, Lamine ka bërë gjëra të pabesueshme. Të gjithë e shohin atë si një rrezik të madh, ai ka një potencial të madh dhe një karrierë të madhe përpara tij.”

Advertisement