Shkrime
Lulzim Basha, një armik në dispozicion
Nga Namir Lapardhaja
Është e qartë, tashmë, se Lulzim Basha është një armik në dispozicion i përkryer për turmën.
Mirëpo, koha kalon dhe ajo është gjykatësi i rreptë. Ndaj sot, kur Basha është larguar, madje kur askush nuk e di se ku ndodhet dhe se çfarë bën, nuk ka më alibi për dështimet dhe për gënjeshtrat e prodhuara gjatë kësaj kohe, të tilla si: me të marrë PD-në “Foltorja” dhe zoti Berisha do të rikthehet gara në PD, Berisha do largohet dhe do hapë garë të lirë dhe të ndershme, do të marrë fund pengmarrja e opozitës, do të marrë fund marrëveshja me pushtetin, do të hiqet “non grata” nga amerikanët; në shtator do të fillonin protestat e fuqishme mbarëpopullore, të cilat nuk do të ndaleshin deri në rrëzimin e plotë të kësaj qeverie etj.
Meqenëse asnjë nga këto nuk ndodhi dhe sot jemi më keq se dje, thërritet në skenë sërish armiku në dispozicion, Lulzim Basha, i cili herë na shfaqet si agjent i Sorosit, e herë të tjera si i Putinit. Pra, një poliagjent i llojit të Mehmet Shehut.
E gjithë kjo histori është aq qesharake saqë duhet të kesh probleme me perceptimin e humorit që të mos qeshësh me të madhe. Kemi të bëjmë me një komedi të vërtetë, sa banale aq edhe të neveritshme.
Por, meqenëse ka njerëz që merren dhe që diskutojnë këto çështje, na duhet të jemi serioz dhe të kthehemi tek serioziteti.
Në këtë situatë, demokratët e thjeshtë nuk dinë kë të besojnë! Të besojnë Berishën dje që i garantonte se (citoj) “shkrimi i “Mother Jones” për Lulzim Bashën është një fabrikim” dhe se “as Lulzim Basha dhe as PD-ja nuk kanë marrë asnjë financim nga rusët dhe nuk kanë pasur asnjë kontakt me ta” apo të besojnë sot zëdhënësen e PD-së, zonjën Garo, së cilës i kishin shkruar një deklaratë për shtyp, duke e transformuar historinë e djeshme në interesin e sherrnajës së sotme brenda PD-së?!
Me dy standarde nuk mund të kemi politikë të drejtë dhe të moralshme.
Së dyti, po thuhet që Putini ka financuar në Shqipëri Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, mirëpo, përpara se të pranojmë këtë, duhet të shohim se cilët janë sot ata faktorë politikë që po i shërbejnë interesave ruse në vendin tonë? Cilat janë ato politika? Nuk mund të themi që po i shërben Basha, duke e ditur se ai, në përputhje me kërkesat amerikane, largoi zotin Berisha nga Grupi Parlamentar, gjë që, siç po duket deri më tani, i kushtoi shtrenjtë karrierës së tij politike.
Nëse Putin ka financuar, e ka bërë një gjë të tillë përkundrejt një shërbimi. Çfarë shërbimi do ai? V. Putin kërkon rrëmujë në Ballkan, destabilitet në Rajon, kërkon të shahet dhe të projektohet SHBA-ja si një vend që kontrollohet nga mafia dhe nga Sorosi, si një vend i korruptuar dhe i kapur. Pra, ai investon për të gjetur aleat në luftën e ardhshme të tij me Perëndimin, në mënyrë që, kur të fillojë, t’i ketë në anën e tij.
Nuk më duket se në këtë kuptim dhe drejtim zoti Basha është një aleat i besueshëm, sepse, duke parë retorikën e politikës së ditës në Shqipëri, janë disa politikanë që i shkojnë më për shtat interesave ruse, në përputhje të plotë me retorikën e dyanshme përsa i përket SHBA-ve apo qëndrimeve të tjera në Rajon.
Si përfundim, unë mendoj se, nëse ka diçka që duhet hetuar në gjithë këtë histori, le të hetohet dhe, nëse ka një vend që ka interes më të madh dhe mjetet e duhura për ta bërë një gjë të tillë, është qeveria amerikane. Pra, le të hetohet prej tyre dhe të na thonë ata se si qëndron e vërteta e kësaj historie, mirëpo ajo për të cilën ndiej keqardhje të madhe është gjendja në të cilën është katandisur PD-ja.