Bota
Macron vizitë zyrtare në Britani javën tjetër, fjalim historik në Parlamentin britanik dhe takime të nivelit të lartë

Presidenti francez Emmanuel Macron nis sot një vizitë zyrtare treditore në Britaninë e Madhe, me një axhendë të ngarkuar që përfshin një fjalim historik në Parlamentin britanik dhe takime të nivelit të lartë mbi mbrojtjen, emigracionin dhe sigurinë ndërkombëtare.
I ftuar nga Mbreti Charles III, Macron bëhet lideri i parë i një vendi anëtar të BE-së që viziton zyrtarisht Britaninë pas Brexit-it, një zhvillim që simbolizon afrimin mes dy vendeve, veçanërisht pas ndryshimit të qeverisë në Londër me ardhjen në pushtet të kryeministrit Keir Starmer.
Ngjarjet kryesore të vizitës përfshijnë një darkë shtetërore në Kalanë e Windsor-it, fjalimin e Macron në Parlament dhe një samit franko-britanik të përqendruar te siguria dhe emigracioni. Në fokus pritet të jenë edhe marrëveshjet e Lancaster House mbi bashkëpunimin ushtarak, të cilat do të përshtaten përballë sfidave të reja si lufta në Ukrainë.
Bashkëpunimi në fushën bërthamore, teknologjike dhe ndërtimi i përbashkët i raketave janë pjesë e planit të ri strategjik. Macron dhe Starmer do të drejtojnë gjithashtu një takim virtual nga baza ushtarake Northwood për të koordinuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Për çështjen e emigracionit, Franca kërkon më shumë kompetenca për të ndërhyrë deri në 300 metra nga bregdeti britanik për të ndaluar varkat me emigrantë. Vetëm në vitin 2024, mbi 36.800 emigrantë kanë kaluar La Manshin, me 78 viktima të raportuara – një shifër rekord.

