Connect with us

Kosova

MacShane: Perëndimi dështoi ta shoh Vuçiç-in teksa kopjon Putin-in

Denis MacShane, ish-ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, e ka cilësuar si të shkëlqyer intervistën e kryetares së Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, të dhënë për mediumin prestigjioz britanik, Financial Times, ku thoshte se një pjesë e përgjegjësisë për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet ta mbajë edhe bashkësia e organizuar ndërkombëtare, sepse sipas saj, nuk është treguar syçelur ndaj agravimit të sjelljeve të Serbisë në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.

MacShane, i cili ka shërbyer për më shumë se 3 vjet si Ministër për Evropë në kabinetin e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, është pajtuar me mendimet e deputetes britanike, ndërsa ka theksuar se perëndimi ka dështuar të shohë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke kopjuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Mësim për Blinken, Stoltenberg, Borrell e Lajçak”, ka shkruar MacShane në platformën sociale, X.

Në një intervistë për prestigjozen “Financial Times” të mërkurën, Alicia Kearns theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, duhet të heqin masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të braktisin qasjen aktuale, ndërsa vlerësoi se politika e QUINT-it karakterizohet nga mungesa e “boshtit kurrizor” në rajon.

“Perëndimi po shfaq në Ballkan dështimin e të pasurit një shtyllë kurrizore dhe ne po tregojmë gjithashtu se nuk kemi nxjerrë mësime në frenimin e Rusisë” – ka deklaruar deputetja britanike

Kearns alarmoi nga parlamenti britanik në muajin korrik se në kishat ortodokse serbe në Kosovë ka armë të kontrabanduara nga Serbia. Në fund të shtatorit, një grup terrorist serb nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Advertisement