Kosova
MacShane: Shtetet mosnjohëse të BE-së dhe NATO-s duhet të pranojnë se Kosova nuk është koloni e Serbisë
Ish-nënsekretari i Britanisë së Madhe për Punë të Jashtme, përgjegjës edhe për Ballkanin Perëndimor në vitet 2001-2005, Denis MacShane, nëpërmjet një letre të botuar në britaniken “Financial Times“, ka thënë se katër vendet mosnjohëse që ndodhen brenda aleancës ushtarake të brenda NATO-s dhe ato te Bashkimit Evropian (BE) – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – duhet të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. MacShane është pajtuar edhe me deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama se presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të dëshironin të krijonin një “Donbas të vogël” në pjesën veriore të të Kosovës të banuar me serbë etnikë. Prandaj, ai ka argumentuar se katër mosnjohësit duhet t’i bashkohen pjesës tjetër të bllokut perëndimor. “Rama i bëri thirrje Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të riangazhohen, teksa ata janë përpjekur por dhe kanë dështuar. Katër vende anëtare të NATO-s dhe BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania – mbështesin linjën e Putinit dhe Vuçiçit për mosnjohjen e Kosovës. Kjo e dobëson shtetin e ri ballkanik në vendosjen e autoritetit mbi territorin e tij”, ka shkruar MacShane. Në këtë drejtim, ish-ministri për Evropën në kohën e kryeministrit britanik, Tony Blair, ka konsideruar se presidenti francez, Emmanuel Macron, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin amerikan, Joe Biden, duhet të bisedojnë me homologët e tyre në Madrid, Athinë, Bratisllavë dhe Bukuresht dhe te kërkojnë njohjen e Kosovës. “Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Joe Biden, te kontaktojnë me homologët e tyre në Madrid, Athinë, Bratislavë dhe Bukuresht dhe t’u kërkojnë këtyre liderëve të NATO-s dhe BE-së që të heqin dorë nga fantazia se Kosova nuk ekziston dhe një ditë mund të kthehet në të qenit një koloni e Beogradit” – theksoi Denis MacShane