Kronike
Makina u dogj pas përplasjes me betonieren, del foto e viktimës së tretë të aksidentit tragjik

24-vjeçari Enrikejd Kurti është një prej të rinjve që humbi jetën në mënyrë tragjike në aksidentin që tronditi zonën e Fushë-Prezës gjatë orëve të natës.
Automjeti në të cilin Kurti udhëtonte së bashku me miqtë e tij, Erild, Enejd dhe Andi Laçi u përplas me një betoniere dhe më pas shpërtheu në flakë.
Raportohet se 3 prej të rinjve kishin qenë duke pritur në aeroportin e Rinasit Erild Laçin pasi ishte kthyer në Shqipëri dhe më pas do të shkonin në shtëpi.
Mësohet se dy prej viktimave, Erild dhe Enejd Laçi ishin vëllezër dhe Andi Laçi ishte kushëriri i tyre, ndërsa Kurti ishte thjesht shoku i djemve.
Dinamika e aksidentit fatal me 4 viktima
Një aksident tragjik i mori jetën katër të rinjve që po udhëtonin me një mjeti tip Benz. Makina goditi nga pas një betoniere, ku pas përplasjes automjeti tip Benz shpërtheu në flakë. Aksidenti tragjik u regjistrua në mesnate në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë në zonën e Fushë Prezës. Për pasojë, gjetën vdekjen Enejdi Laçi, 25 vjeç vëllai i tij, Erildi Laçi, 20 vjeç, kushëriri Andi Laçi, 22 vjeç dhe shoku i tyre Enrikejd Kurti 24 vjeç. Aksidenti është konstatuar nga një patrullë e shërbimit rrugor, i cili ka pikasur automjetin që kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një mjet betoniere. Nga hetimet e kryera rezultoi se automjeti drejtohej nga 25-vjeçari Enejdi Laçi dhe pas përplasjes së fortë me një betoniere ka shpërthyer në flake.
Betonierja e drejtuar nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi sapo kishte dalë nga pika e betonit rreth 100 metra nga vendngjarja dhe ka hyrë në rrugën kryesore, dhe kur është futur në rrugë ka ecur vetëm 20 metra. Në këto momente automjeti tip Benz me gaz-benzinë me të cilën udhëtonin të rinjtë është përplasur me betonieren, duke e goditur nga pas. Makina e të rinjve ka shpërthyer menjëherë në flake për shkak se ishte edhe me impiant gazi. Përplasja ishte aq e fortë saqë mjeti është shkatërruar plotësisht.
Policia po heton nëse betonierja ka pasur sinjale stop nga pas, sepse dyshohet qe të rinjtë nuk kanë parë momentin që betonierja është futur në rrugë dhe në asfalt nuk ka shenja frenimi. Po ashtu po hetohet nëse betonierja ka ndaluar pasi është future në rrugën kryesore apo ka qenë në lëvizje, pasi sapo është future në rrugë ka ecur vetëm 20 metra dhe shpejtësia ka qenë e ulët, ndërsa makina ku po udhëtonin të rinjtë ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Pas përplasjes, mësohet se drejtuesi i betonierës është larguar nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar pak orë më vonë nga policia.
Viktima e aksidentit tragjik po ktheheshin nga aeroporti i Rinasit, kur tre prej të rinjve kishin dalë për të marrë Erild Laçin, i cili kthehej nga Gjermania dhe sapo kanë lënë aeroportin janë nisur për në banesat e tyre në fshatin Borizanë. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

