Connect with us

Sport

Manaj konfirmon formën, sulmuesi nuk ndalet, shënon dy gola të tjerë me Sivasspor

Nuk ka asnjë dyshim. Numrat nuk gënjejnë dhe thonë se Rei Manaj është sulmuesi shqiptar më në formë i momentit. Një tjetër konfirmim erdhi në ndeshjen e fundit të Superligës turke, ku futbollisti kuqezi shënoi dy gola të tjerë, vetëm tre ditë pasi tundi rrjetën edhe në Kupë.

Manaj realizoi në barazimin 2-2 që skuadra e tij Sivasspor arriti në shtëpi kundër Gaziantep.

Në minutën e tetë, sulmuesi hapi sfidën duke goditur saktë nga pika e penalltisë, për epërsinë e vendasve.

Vetëm shtatë minuta më pas, futbollisti shqiptar përsëriti veten në të njëjtën mënyrë. Ai mori sërish përsipër penalltinë e dytë të fituar nga Sivasspor, duke dyfishuar shifrat e rezultatit.

Për fatin e keq të Manaj dhe skuadrës së tij, miqtë barazuan që në pjesën e parë, ndërsa shifrat 2-2 mbetën në fuqi deri në fundin e ndeshjes. Por barazimi nuk e zbeh aspak ndeshjen dhe formën e shkëlqyer të Rei Manaj, i cili duket i rilindur pas transferimit te Sivasspor.

Në 23 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës, sulmuesi numëron 14 gola, që vlejnë si një mesazh I qartë për Silvinjon, që ta marrë sërish në konsideratë, pas mungesës në eliminatoret e Euro 2024

Advertisement