Kronike
‘Mandatet në duar të sigurta’

Lista Serbe tha një ditë më parë se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.
“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Rikujtojmë se deputetët që u betuan, zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve të mëhershëm, të gjithë nga Lista Serbe.
Ende nuk dihet saktësisht, nëse kjo lëvizje ka ndonjë prapavijë tjetër politike, apo ndonjë marrëveshje, apo qoftë për atë të targave që ishte edhe burimi I të gjithë tensionit në veri, që dërgoi serbët të bojkotonin të gjitha institucionet ku ata punonin në territorin e Kosovës.
Por sipas radhës, këta janë deputetët që parashiheshin të zëvendësonin kolegët e tyre të dorëhequr disa ditë më parë, listë e publikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit.
Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

