Connect with us

Kosova

Manipulimet e Vuçiç për hyrjen e Kosovës në KiE, por ja ç’fitojnë serbët  

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave të KiE-së pranimin e Kosovës në Organizatën më të vjetër pan-evropiane është një gjë e pritshme dhe normale, sepse tashmë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të tjerëve.

Ajo e sheh si “gjuajtje të pluhurit syve” formimin e Ekipit Special të Serbisë, i cili me Ivica Daçiçin në krye, ka për detyrë të pengojë pranimin e Kosovës në KiE.

“Është një përpjekje për të homogjenizuar popullin në një premisë, e cila para së gjithash është e pasaktë dhe që synon të krijojë një atmosferë rreziku për popullin serb dhe është gjithashtu në funksion të zgjedhjeve që duhet të mbahen në qershor”, ka thënë Biserko.

Ajo është shprehur se hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila në radhë të parë merret me mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, është një renditje normale e hapave.

“Kështu, Beogradi nuk humb asgjë për momentin dhe serbët nga Kosova fitojnë qasje në institucionet ndërkombëtare që nuk i kishin deri më tani, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, ka treguar Biserko e cila I sheh si manipulim të opinionit publik paralajmërimet se Serbia mund të tërhiqet nga kjo organizatë ndërkombëtare në rast të pranimit eventual të Kosovës.

“Nuk dua ta besoj këtë sepse mendoj se kjo do të rrezikonte rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, ku kemi vendosur të shkojmë. Dhe së dyti, do të kërcënonte edhe mundësinë e qytetarëve të Serbisë që t’i drejtohen kësaj gjykate dhe shumë gjëra të tjera. Sepse Konventa për të Drejtat e Njeriut, një konventë evropiane, është ajo që vlerëson gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, Kosovë apo kudo në rajon…”, theksoi Biserko duke potencuar :-

“Presidenti Vuçiç për një kohë shumë të gjatë ka gëzuar mbështetjen e Perëndimit, u tolerua në shumë situata, sidomos kur filloi përshkallëzim ndaj mediave dhe opinionit kritik. Ai ka menduar se do ta bëjë këtë pafundësisht, por për arsye të ndryshme gjërat janë kthyer në mënyrë që ai të mos e gëzojë më këtë lloj besimi nga perëndimi, sidomos pas incidentit të armatosur në Banjskë”.

 

Advertisement