Connect with us

Sport

Marrëveshje e kryer, Milani transferon top mesfushorin italian

Siç kishin raportuar më parë mediat italiane, ishte vetëm çështje kohe derisa Milan dhe Torino të arrinin marrëveshjen prej 25 milionë eurosh për Samuele Riccin, kështu që kontrollet mjekësore janë planifikuar për javën e ardhshme. 

Nuk ishte sekret që negociatat kishin hyrë në një fazë shumë të avancuar dhe mbetej vetëm të finalizoheshin detajet e fundit. 

Milan do të paguajë 23 milionë euro, plus deri në 2 milionë euro bonuse të lidhura me paraqitjet e lojtarit. 

Ricci do të kryejë vizitat mjekësore javën e ardhshme, gjë që nuk mund të ndodhte më herët për shkak të pushimeve të tij jashtë vendit. Më pas, ai do të firmosë një kontratë pesëvjeçare. 

Ai do të jetë një tjetër përforcim në mesfushë për ‘Rossonerët’, të cilët tashmë kanë një marrëveshje verbale me Luka Modric për ta afruar si lojtar të lirë. 

Veterani i kombëtares së Kroacisë do të jetë i disponueshëm pasi Real Madridi të përfundojë aventurën në Kupën e Botës për Klube. 

Ricci është përfolur prej vitesh për një kalim te Milan dhe do të festojë 24-vjetorin e lindjes në gusht. 

Torino e kishte blerë atë nga Empoli në vitin 2022, fillimisht në huazim dhe më pas me detyrim blerjeje për një total prej 9.5 milionë eurosh plus bonuse. 

Po ashtu, Torino i detyrohet Empolit 10 për qind të shumës së shitjes, që do të thotë se rreth 2.3 milionë euro do të shkojnë për klubin toskan.

Telegrafi

Advertisement