Connect with us

Shkrime

Marta Kos, a është në rrugën e duhur për t’u bërë për shqiptarët një Juri Kim e Komunitetit Europian

Nga Ndriçim Kulla

Shumë njerëz kanë shkruar dhe komentuar deklaratën e zotit Sali Berisha mbi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, zotin Gonzato. Po kështu edhe dënimin e tij të padrejtë nga Kuvendi i Shqipërisë. Vetëm se ajo që ka sjellë më shumë shqetësim dhe indinjatë në këtë përplasje, është pikërisht ndërhyrja e zonjës Marta Kos për këtë çështje. Nuk është thjesht një mbrojtje që ajo i bën Gonzatos, pasi shumëkush nga opinioni publik një gjë të tillë e quan të panevojshme, madje të ekzagjeruar e të pavend. Ishte e gjithë shpura e regjimit në fuqi që i erdhi në ndihmë, duke mbajtur anën e gabuar të ligjërimit që Sali Berisha bëri ndaj tij. Por nuk besoj se problemi i komisioneres europiane për zgjerimin është të mbrojë Gonzaton nga diçka që ajo e keqinterpretoi dhe e quajti të pakëndshme. Pse na qenka zgjuar nga gjumi zonja Marta për diçka “të pakëndshme”? Për të mbrojtur një vartës të saj? Asnjëra nga këto arsye të vogla, besoj, nuk qëndron.

Duhet shkuar më thellë, pasi edhe në parim ky shqetësimi i saj kaq i menjëhershëm, neve nuk na pengon aspak, por na nervozon; na indinjon thellësisht inteligjencën dhe luftën për hierarkinë e vlerave. Si ka mundësi që ajo të tregohet me dy standarde në një mënyrë kaq të turpshme dhe arrogante, duke ndërhyrë urgjentisht për “një pako gjë” krahasuar me atë gjë të jashtëzakonshme që po ndodh në Shqipëri, ku zv.kryeministrja është e pandehur për vjedhje të llahtarshme në tendera?

Nëse qasja ndaj problemeve të brendshme të një vendi do të ishte neutrale, atëherë do ta kuptonim mosndërhyrjen e saj. Po atëherë çfarë mize e pickoi komisioneren që doli menjëherë në mbrojtje, gati-gati nga hiçi dhe pa kurrfarë motivi të rëndësishëm? Por jo, gabohemi shumë në këtë hierarki prioritetesh. Ajo nuk ka atë shkallë prioritetesh që kemi ne shqiptarët, as për problemet politike, as për ato ekonomike. Ajo ka prioritete të tjera, europiane. Po cilat janë vallë ato që duhet t’i mësojmë dhe që duhet të na mësohen? Mos vallë prioritetet e agjendës LGBTQ apo parimet wokiste të kësaj agjende janë thelbi i misionit të saj?

Kjo ngjarje nxori lakuriq pikërisht këtë gjë. Juve ju vret veshin çdo revoltë e jona kur zbulojmë me fakte se shqiptarët udhëhiqen nga një narko-shtet, por nuk shqetësoheni aspak për një gjë të tillë. Por mos harroni: duhet të jeni e ndershme jo vetëm me veten, por edhe me kolegët tuaj europianë, të shteteve të tjera që lexojnë në shumë gjuhë artikuj që faktojnë atë që ne kemi thënë shumë kohë më parë. Pse nuk u “pickuat” vallë nga këto dëshmi kokëforta, por u hodhët përpjetë nga një ligjëratë “që nuk ka asgjë të pakëndshme”? E kjo u zbulua qartë, sepse ky ligj që sapo ju e aprovuat me dhunë dhe presion, është për ju, znj. Marta, ajo që ne shqiptarët i themi “miza nën kësulë”. Ky ligj për ju dhe sojin tuaj të burokratëve në BE është shumë i dashur; është ligji themelor wokist nga ku fillon shkatërrimi i shoqërive. Ndaj juve ju djeg shumë dënimi i tij.

Vijmë këtu tek problemi themelor që na shfaqi reagimi juaj me dy standarde. Vetëm tre vende në Europë e kanë këtë ligj; 21 parlamente europiane nuk e kanë kaluar. Vetë Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg thotë se ky ligj, pra problemi i gjinive, nuk buron nga e drejta europiane, e aq më keq nuk buron nga e drejta e Bashkimit. Atëherë pse të dogji kaq shumë ky episod, zonja komisionere e zgjerimit, kur një ligj të tillë Europa nuk mund të na e imponojë dot? Apo mos vallë ju kërkoni të ndërhyni e të na e impononi me fuqinë e burokracisë suaj, duke kërkuar të na mbushni mendjen se ai i bën mirë shoqërisë dhe e afron më shumë Shqipërinë me Europën?

Ky është problemi im i madh, por edhe problemi i madh i gjithë shoqërisë civile shqiptare, që u ngrit në bllok kundër këtij ligji. Jo, ky ligj nuk i bën nder asnjë shoqërie në Europë e në botë. Jo, shoqëritë që e kanë këtë ligj nuk janë bërë më të mira; përkundrazi, ato janë shembulli më i keq i degradimit dhe përçarjes së thellë e radikale. Shikoni Amerikën para Trumpit dhe Kanadanë, e pastaj të gjitha vendet europiane ku është ulur këmbëkryq wokizmi, se sa probleme të thella ideologjike, sociale dhe politike i janë shtuar. Ja, për mbështetjen e hapur të një prej shtyllave më të mëdha të wokizmit, ne shqiptarët ju akuzojmë, zonja komisionere e zgjerimit.

Nuk është ky zgjerimi i premtuar, nuk është kjo Europa e etërve themelues, që ju, duke mbrojtur këtë ideologji, po na detyroni të themi: “Na ishte njëherë e një kohë Europa”. Nëse demokracia dhe vlerat kalohen në plan të dytë; nëse gjeopolitika dhe stabilokracia keqpërdoren dhe kthehen në parimet prioritare për të mbyllur sytë, atëherë ky nuk është zgjerim, znj. Marta. Unë nuk di ç’emër t’i vë kësaj filozofie politike, por di që burokracia dhe ideologjitë kurrë nuk fitojnë mbi popujt.

Ne shqiptarët kemi pasur një Juri Kim dikur, që njësoj si ju, nga një post i madh i një vendi të madh si SHBA-ja, impononte dhe ndërhynte pa vend e pa arsye, jo me dy, por me 22 standarde, në çdo vendim tonin politik. Një wokiste e thekur dhe puthadore e Edi Ramës, por që tani përfundoi aty ku e meritonte.

Vetëm, dua t’ju kujtoj disa fakte dhe dëshmi nga filozofia politike europiane e kohëve të sotme. Mëndje të mëdha akademike, në mjaft libra — të cilëve do t’u referohem në një libër mbi deformimin që po i bëni ju procesit europian të Shqipërisë — kanë shpjeguar se liberalizmi, si pasojë e përhapjes së ideologjisë wokiste, ka mbaruar; është kthyer në joliberalizëm. Për rrjedhojë, nga shumë pikëpamje politike dhe sociale, brenda Europës dhe qytetërimit perëndimor ka “dy Perëndime”: njëri është Perëndimi liberalo-konservator, që ne mbrojmë, dhe tjetri është Perëndimi i rrëshqitur në majtizmin radikal, që mbron këto lloj ligjesh dhe gjithë ideologjinë woke.

Ndaj, politikisht dhe si komisionere e zgjerimit, ju nuk duhet të mbani anë e të zhvilloni agjendat dhe ideologjitë tuaja si politika të BE-së, pasi ato nuk pinë ujë askund, përveçse te vasalët dhe rrethi i burokratëve të pazgjedhur që i përkasin të njëjtës agjendë. Ne jemi popull që historia, ADN-ja fetare, morale dhe ndërgjegjja jonë na japin plotësisht të drejtë ta kundërshtojmë këtë ligj dhe çdo ligj wokist që bie ndesh me vlerat tona historike liberalo-konservatore. Tek e fundit, këto janë vlerat që themeluan Europën, jo vlera të reja të imponuara e të huazuara nga wokizmi.

Ndaj europianizmi shqiptar është më i kulluar, më i vërtetë, pikërisht kur i mbron këto vlera dhe kur e dënon këtë lloj ligji. Ndoshta për një kohë popujt mund të pësojnë, siç po ndodh me këtë ligj, por ata dinë si ta gjejnë rrugën për t’i rikthyer vlerat e tyre qenësore. Sa për zgjerimin, si komisionere europiane, ne ju këshillojmë t’i riktheheni atyre vlerave që etërit themelues të Europës përcaktuan. Aty do ta gjeni edhe ju rrugën e drejtë të ndërhyrjes dhe komunikimit të këtyre vlerave.

Paç fat, zonja Kos!

Advertisement