Kosova
Mashtrim në kohë me diell/ KFOR hedh poshtë alarmin e ministrit të Kosovës

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci se ka një përqendrim të madh të forcave të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
“KFOR-i nuk ka vërejtur dhe as është informuar për ndonjë ndryshim domethënës së fundmi në praninë e Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Maqedonci në një deklaratë për media tha se 70 për qind e kapaciteteve ushtarake serbe janë të pozicionuara në jug të Serbisë, afër kufirit me Kosovën.
Megjithatë, për KFOR-in, një pretendim i tillë nuk është i saktë, meqë sipas procedurave ekzistuese, Forcat e Armatosura Serbe janë të obliguara të informojnë rregullisht KFOR-in për dislokimin e forcave dhe aktiviteteve të tyre operative në afërsi të kufirit me Kosovën.
KFOR-i, ndër të tjera, ka potencuar se që nga viti 2023 ka shtuar ndjeshëm praninë dhe ka intensifikuar patrullimet përgjatë kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Komandanti i KFOR-it zhvillon komunikime të rregullta me autoritetet ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të ndërsjellë për situatën në terren”.

