Aktualitet
Mashtruan përmes call center, Gjykata lë në burg 4 anëtarët e grupit

Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurimit për 7 nga 8 personat e dyshuar në lidhje me çështjen e call centerave që mashtronin shtetas të huaj.
Të pandehurit janë akuzuar për pjesëmarrje në një grup kriminal që, duke u prezantuar si oficerë policie të rremë, mashtronin qytetarë të huaj, duke i bindur që të rikuperonin humbjet nga investime të dyshimta në Forex.
Në mungesë të të pandehurve, Gjykata caktoi masën e arrestit me burg për katër prej tyre: Emiljano Sejdillari, Tafil Dyrmishi, Sokol Krasniqi dhe Eltion Logu, si dhe për Rodrigo Gugan. Ndërsa për tre persona të tjerë, Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka, u vendos masa “arrest shtëpie”.
Ky vendim erdhi pas fazës së hetimeve që u mbyll së fundmi në kuadër të aksionit “Pandora”, i koordinuar nga SPAK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Gjermanisë. Hetimet nisën në vitin 2023, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet gjermane, të cilat ofruan prova materiale që çuan në dyshime për ekzistencën e një grupi kriminal që operonte jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.
Më 18 prill të vitit të kaluar, SPAK zhvilloi kontroll në ambientet e një call center-i në Tiranë, ku u sekuestruan prova të rëndësishme që përforcuan dyshimet për aktivitetin kriminal të grupit.
Prokurori i çështjes, Eneid Nakuçi, deklaroi për mediat se aksioni “Pandora” ka përfunduar fazën e hetimeve dhe se hetimet janë zhvilluar me mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në datën 28 korrik, gjykata caktoi masat e sigurimit për personat e dyshuar, duke vulosur kështu një tjetër hap drejt çrrënjosjes së këtij fenomeni kriminal që ka prekur edhe qytetarë të huaj.

