Bota
Matteo Salvini flirton me shqiptarët (nëse e votojnë)
Pak vite më parë, nuk do të ishte shumë mirë të pyesje Matteo Salvinin përsa i përket shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, çfarë duhej bërë me ta, apo edhe vetë faktit se nga integrimi në komunitet, mund të arrihej edhe një “ç’integrim” nga komuniteti.
Kohët ndryshojnë gjithsesi. Edhe Salvini vetë duket se po ndryshon, të paktën me fjalë.
“I kërkoj shqiptarëve, t’i japin votën e tyre Partisë Lega, të zgjedhin ndershmërinë, rregullat dhe punën”, ka deklaruar ai në ditët e fundit të fushatës, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të mbahen në Itali të dielën e 25 shtatorit.
Deklarata ka habitur jo pak njerëz. I njëjti Salvin, ose i ndryshmi, pak vite më parë zhvillonte fushata kundër komuniteteve të huaja në Itali. Sipas tij, në frymën e djathtë radikale, ishin pikërisht të huajt, të cilët po ia merrnin vendet e punës italianëve dhe po i linin ata në varfëri.
Një deklaratë shumë të fortë ishte ajo që ai bëri në vitin 2014, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
“Bëjmë një shkëmbim?”, i shtronte ai pyetjen unionit, duke shtuar se Shqipërinë, mund ta merrnin në gjirin e tyre dhe të dilte nga aleanca e vendeve të BE-së Italia.
Salvini shkoi aq larg sa shprehu irritim ndaj BE-së, e cila i jepte vendeve të Ballkanit fonde për zhvillim.
Nevoja bën të vetën dhe Salvini, do s’do, duhet të adaptohet. Këtë herë, ai ka vendosur ti largojë epitetet për shqiptarët. Madje ka nisur të flirtojë me ta.
“Koha, na ka bërë të kuptohemi më mirë njëri me tjetrin” – shkruan lideri i Lega Nord.
I kuptoi më në fund shqiptarët apo i duhen tani në periudhë zgjedhore?