Politike
Mazhoranca lë Kuvendin, Berisha: Ja mbathën si hajdutë
Ish kryeministri, Sali Berisha pas ikjes së mazhorancës nga Kuvendi, për shkak të bllokimit të Foltores nga ana e tij, është shprehur se kryeministri do japë llogari për çështjen e McGonigal. Ai vijoi me akuzat duke e cilësuar si aferën më të madhe korruptive të bërë ndonjëherë nga kreu i qeverisë ndërsa shtoi se PS ka dëmtuar me dashje opozitën.
“Ja mbathët si hije, të turpëruar, pa shpresë. Para kësaj dallge të fuqishme që s’do e kalojnë pa dhënë llogari. Afera Rama-McGonigal është një ndër aferat kriminale më të pista në tërë historinë e pas luftës së dytë botërore. Një kryeministër korrupton për të dëmtuar opozitën. Një akt i pashembullt, një akt që mund ta bëjë vetëm një diktator. Dhe ju e patë sesi ikën të turpëruar, të tmerruar. Ju e patë sesi, Rama, me dy konfidentë të tij, luante me fatet e demokracisë së vendit. Ata reagojnë në kope, sikur s’kanë vend, familje, interesa shoqërore por të xhepit të tyre. Sekti i rilindjes është armiku kryesor, i demokracisë, qenies dhe identitetit të shqiptarëve. S’ka interes më të madh se zbardhjen e kësaj afere. Një aventurier, një agjent influent rus, merr përsipër të ekzekutojë çdo skenar për qenë në pushtet. Ndaj ne sot do rrimë në parlament, edhe ata ikën si hajdut. Uroj ta kenë thirrur atje ku ka vendin, se nga kjo aferë Rama s’ka shpëtim.”- tha Berisha.