Bota
Mbi 43.000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gazë
Më shumë se 43.000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.
Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua shumë nga sulmi.
Izraeli i ka sulmuar disa spitale në Gazë gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militatë të tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe tash e tri javë.
OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se të paktën 400.000 njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është rritur, pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë.