Connect with us

Aktualitet

‘Më keni prekur në burrni’/ I dhunuan babain në KZAZ-ë, Ismaili merr hak duke qëlluar Prengën

Fatbardh Ismaili është 29-vjeçari që po kërkohet nga Policia e Shtetit pasi akuzohet se i ka zënë pritë dhe ka tentuar të vrasë ish-deputetin e Partisë Socialiste Armando Prenga. NTV.al ka zbardhur zanafillën e ngjarjes që solli dhe atentatin e përgatitur sot ndaj ish-deputetit socialist.

Gjithçka ka nisur në KZAZ-në ku numëroheshin votat dhe rezultati i ngushtë mes Behar Haxhiut, kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ e socialistes Majlinda Cara që kërkonte një mandat tjetër në krye të Bashkisë së Kurbinit, bëri që gjendja të tensionohej. ntv.al ka mësuar se babai i 29-vjeçarit Ismaili është dhunuar brenda KZAZ-së dhe është betuar se do të merrte hak.

“Më keni prekur në burrni,”- mësohet të ketë thënë Ismaili në momentin që është qëlluar me shuplakë. KZAZ-ja në fjalë, siç edhe u raportua, është rrethuar nga forcat e RENEA-s dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndaj planet për ‘hakmarrje’ janë shtyrë për këtë mesditë.

Kështu, i riu Ismaili ka vëzhguar Prengën dhe i ka zënë pritë në momentin që ai kalonte në Fushë Kuqe. Në momentin që e ka parë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të tij, por Prenga ka manovruar dhe ka arritur të shpëtojë. Ai ka telefonuar menjëherë Policinë e Shtetit, ndërsa Ismaili është larguar me makinën e tij tip ‘Benz’. Nuk dihet nëse personi që e ka qëlluar me shuplakë komisionerin ka qenë vetë Prenga.

Advertisement