Kronike
“Më mban mend mua?”/ Debate në forta në gjyqin e Shullazit dhe Lulzim Berishës
Me debate të forta është shoqëruar sot gjyqi ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerajt, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullaut e Indrit Rusit për vrasjet e vitit 2005 të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames.
Shkak është bërë ekspertizën psiko-ligjore e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, raporton për BalkanWeb Klodiana Lala.
Në seancën e sotme paraqiten si dëshmitare dy mjeke që ekzaminuan gjendjen mendore të Reçit, ku kanë dalë konkluzion se ai është i përgjegjshëm.
Avokatët e të pandehurve debatuan ashpër me mjeket, duke u kujtuar se për bashkëpunëtorin ka pasur një tjetër akt ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.
Në këtë kontekst, ata kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë:
“Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?”
Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë.
Më pas fjalën e mori Emiljano Shullazi, duke iu thënë dy ekspertëve:
“Si ka mundësi ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve:
“A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”
Mjekia iu përgjigj po.
Rusi i tha:
“Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet.”
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.