Kronike
Më pak drithra se zakonisht

Importet e drithërave në sasi shënuan rënie të fortë gjatë periudhës janar-tetor 2022, jo e zakontë në vitet e mëparshme.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë 10-mujorit u importuan rreth 193 mijë tonë drithëra nga më shumë se 266 mijë tonë në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, me rënie 27.4%.
Pas këtyre zhvillimeve qëndrojnë tre faktorë themelore. E para rezervat e trashëguara nga viti i kaluar, e dyta emigrimi i lartë i të rinjve gjatë këtij viti dhe e treta rritja e prodhimit vendas për autokonsum nga frika e bllokimit të furnizimeve nga lufta në Ukrainë.
Këtë vit tregjet e drithit u përkeqësuan edhe më tej pas luftës në Ukrainë, ku çmimet shënuan rekorde në të reja në fillim të marsit me mbi 1300 dollarë për tonë. Si kudo në botë edhe në Shqipëri konsumatorët blenë sasi të larta të miellit gjatë marsit dhe prillit 2022, por pas kësaj periudhe shitjet ranë në mënyrë drastike duke ndikuar edhe në rënien e importeve të reja
Importet e drithërave në dy dekadat e fundit janë vënë në trend rënës edhe për shkak të pakësimit të popullsisë vendase nga lindjet më të pakta dhe nga emigracioni. Të dhënat nga Eurostat dhe nga Ministria e Brendshme e Britanisë tregojnë se, gjatë së paku 20 mijë shqiptarë kryesisht të rinj kanë kërkuar azil deri në vjeshtë.
Një arsye tjetër që ka ndihmuar sasinë në ulje të importeve të drithërave është edhe rritja e prodhimit vendas për vetë konsum. Statistikat për prodhimin e drithërave në vend mungojnë edhe pse sezoni i korrjeve ka përfunduar

