Politike
Me pushtetin e Ramës nuk mund të kemi më diskutime, por vetëm përballje, o sot o kurrë
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, denoncoi presionin e paprecedentë të kryeministrit mbi drejtësinë për të mbrojtur Belinda Ballukun të përfshirë në afera korruptive. Sipas tij, kjo lidhet me frikën dhe vetëmbrojtjen politike të Edi Ramës, pasi përgjegjësia për këto afera i takon drejtpërdrejt atij.
Në postimin e tij në Facebook, Balliu akuzoi pushtetin për ofensivë kundër drejtësisë dhe cenim të ndarjes së pushteteve, duke theksuar se nuk ka vend për dialog, por për përballje, dhe bëri thirrje për protestë të bashkuar më 22 dhjetor.
Reagimi i plotë:
Një rast pothuajse i paprecedentë, ku kryeministri përdor gjithë pushtetin për të ushtruar presion mbi drejtësinë, me synimin mbrojtjen e një zyrtareje të përfshirë në afera korruptive dhe nën hetim.
Kjo nuk buron nga besnikëria ndaj Belinda Ballukut, por nga frika dhe vetëmbrojtja politike, pasi pas aferave të saj qëndron përgjegjësia direkte e Edi Ramës.
Për këtë arsye, pushteti ka nisur një ofensivë të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, duke cenuar ndarjen e pushteteve, ndërsa në prapaskenë Rama përpiqet ta neutralizojë politikisht Ballukun, nga frika se ajo mund të zbulojë të vërtetën.
Me këtë pushtet nuk mund të ketë diskutim, por vetëm përballje. Më datë 22, të bashkuar në protestë.