Aktualitet
Mediatizmi i urrejtjes ndaj Shqipërisë në Kosovë
Nga Ridvan Peshkopia
Kurrë nuk kisha menduar më parë se do shkruaja këto rreshta, por nuk mundet t’i mbyll sytë ndaj asaj që vërej vetë çdo ditë: Mediatizimi në Kosovë i urrejtjes ndaj Shqipërisë. Nuk është një rast i vetëm dhe as i shkëputur. Dhe fakti që media në Kosovë u jep hapësirë atyre që urrejnë Shqipërinë tregon se kjo urrejtje ose e ka një audiencë të saj, ose kërkon ta formojë këtë audiencë. Disa nga ata që e urrejnë Shqipërinë ankohen se Shqipëria nuk interesohet sa duhet për Kosovën; të tjerët ankohen se Shqipëria interesohet për Kosovën më shumë se duhet; të tjerët thonë se po mos kishte Kosovë nuk do kishte as Shqipëri; të tjerët thonë se Shqipëria (jo Serbia) e ka viktimizuar Kosovën; dhe një tjetër – dhe ky ishte më interesanti – duke u krekosur si kari i lalës në një studio televizive, kërcënoi se do bojkotonte Kukësin dhe do udhëtonte nga Rozhaja (nuk e kuptova se ku n’pidh t’nonës vet do dilte pastaj nga Rozhaja, ku do shkonte prej andej). Këto qelbësira gjithmonë deklarojnë se ia duan të mirën Shqipërisë por… dhe vazhdojnë pastaj me një lumë sharjesh për Shqipërinë.
Karakteristike është se mesazhi i tyre rrëmbehet nga llogari të rreme (bote) në rrjete sociale (me shumë gjasa të krijuara nga armiqtë tanë) dhe brenda kësaj rrjete propagandistike bien lehtë peshq të hutuar, individë të zëmëruar se dikur në bregdetin e Shqipërisë një pronar hoteli ua kishte rritur pabesisht çmimin apo se në një pompë karburanti nafta kishte qenë me ujë. Ne të gjithë e dijmë se shqiptari është një entitet social bipolar; ai mundet të bëjë heroizmat më të papara për atdhe e komb dhe njëkohësisht ta lejojë meskinitetin e vet ta çojë te tradhëtitë më të shëmtuara. Kësisoj, nuk është e vështirë që kënga e sirenave të këtyre boteve ta joshë atë meskinitet proverbial që fle brenda çdo shqiptari dhe ta bëjë të protestojë me të madhe për pakënaqësinë më të vogël (ashtu siç është mësuar t’u nënshtrohet i bindur padrejtësive më të mëdha që i bëhen).
Nuk kam asnjë recetë dhe as propozoj ndonjë zgjidhje; thjesht doja ta hidhja këtë shënim për t’u kujtuar të gjithëve kërcënimet e pafundme që vazhdojnë t’u vijnë shqiptarëve nga jashtë, por sidomos nga brenda. As nuk dua ta këshilloj median e Kosovës që të mos i japë hapësirë mediatike kësaj urrejtje kundër Shqipërisë; ne të gjithë e dijmë se ajo media paguhet nga pushtuesit e vjetër e të rinj të Kosovës. Kësisoj, më mbetet vetëm të vëzhgoj i pafuqishëm se deri ku do shkojë kjo dallgë urrejtje, thjesht do na lagë këmbët apo do të na përmbytë krejt.