Connect with us

Bota

Medvedev kërcënon Trump, presidenti amerikan: Kujdes se çfarë thua

Ish-presidenti dhe kryeministri rus, dhe tani zëvendëspresident i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Dmitry Medvedev ka nisur një “konflikt” me presidentin amerikan, Donald Trump. Në reagimet e tij, Medvedev iu referua fjalëve të Trumpit, i cili e cilësoi Rusinë si një “ekonomi të vdekur”. Po ashtu, nuk e kurseu ironinë dhe “kërcënimet e fsheta” për përdorimin e armëve bërthamore.

“Lidhur me pretendimet për ‘ekonominë e vdekur’ të Indisë dhe Rusisë dhe ‘hyrjen në territor të rrezikshëm’ – le të kujtojnë filmat e tyre të preferuar ‘The ëalking Dead’ dhe sa e rrezikshme mund të jetë një ‘dorë e vdekur’ imagjinare”, shkroi Medvedev, duke shtuar një emotikon me të qeshura në fund të postimit.

Termi “dorë e vdekur” i referohet konceptit të një sulmi hakmarrës bërthamor në rast se komanda e lartë dhe udhëheqësit kryesorë neutralizohen në sulmin e parë. Me fjalë të tjera, është një sistem ose mekanizëm që garanton që një vend do të jetë në gjendje të hakmerret me një sulm bërthamor edhe nëse armiku arrin të shkatërrojë një pjesë ose të gjithë komandën ushtarake.

Përgjigjen e mori nga vetë Trump.

Nuk më intereson çfarë bën India me Rusinë. Për sa më përket mua, ata mund të shkatërrojnë ekonomitë e tyre të vdekura së bashku. Ne kemi bërë shumë pak biznes me Indinë, tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë. Rusia dhe SHBA-të mezi bëjnë biznes së bashku. Le të mbetet kështu dhe i thuaj Medvedevit, ish-presidentit të dështuar të Rusisë, i cili mendon se është ende president, të ketë kujdes se çfarë thotë. Ai po hyn në një territor shumë të rrezikshëm,”- shkroi Trump.

Javën e kaluar, presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste tarifa ndaj Rusisë brenda dhjetë ditësh nëse Kremlini nuk pranonte t’i jepte fund luftës deri atëherë.

Advertisement