Shkrime
Meri Lika: Diktatura perfekte
Në vitin 1990, gjatë një takimi intelektualësh të organizuar nga Octavio Paz dhe të transmetuar në televizion, shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa tha: Meksika është diktatura e perfekte. Diktatura perfekte nuk është komunizmi. Nuk është BRSS. Nuk është Fidel Castro. Diktatura e përsosur është Meksika. Meksika është diktatura e kamufluar… Ajo ka karakteristikat e një diktature: qëndrueshmërinë, jo të një njeriu, por të një partie. Dhe të një partie që është e palëvizshme.
Nëse këto fjalë do të ishin thënë për Shqipërinë e përpara viteve 90-të, besoj se të gjithë do të ishim dakord, por fatkeqësia më e madhe është se sot, tre dekada më vonë, ngjashmëria e diktaturës perfekte me atë që është duke ndodhur tek ne është vërtetshmërisht e frikshme. Sot pas as më të voglin dyshim, Shqipëria është diktatura perfekte që Llosa ka dashur të thotë në krahasimin e tij.
Përballë diktaturës e vetmja gjë që mund të bëjnë qytetarët është ta rrëzojnë, duke u bërë opozitarë. Të jesh opozitar nuk do të thotë të jesh me Berishën apo Metën, të jesh opozitar do të thotë të mbrosh demokracinë edhe në kushtet kur pushteti përpiqet me çdo kusht të ta ndalojë këtë. Të jesh opozitar do të thotë që të luftosh për të mbajtur të pacënuar themelin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit tënd.
Sot askush nuk duhet të dorëzohet duke u justifikuar me shprehjen “Ja e hoqëm Ramën po kë do të vemë!?”. Qytetari opozitar duhet të reagojë, fryma e luftës kundër pushtetit nuk duhet të kufizohet duke përshkuar rrugën nga dhëmbi në buzë e pa dalë dot prej saj.
Fjalët e para në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e hartuar në vitin 1786, janë, “We the people” pra “Ne populli”, ne e sjellim frymën, ne e bëjmë demokracinë, ne jemi qytetarët, ne jemi pushteti. Ne jemi ata që duhet të kërkojmë idenditetin, lirinë, kombin dhe për më tepër respektin nga shteti e nga pushteti.
Pushtetit i mbipopulluar me korrupsion, po përpiqet të hedhë në erë me aparatin e tij të shumicës së votave, çdo grimë entuziaste demokratike me të cilën mund të pajtohet çdo qytetar, e bëjnë këtë sepse pa ne ata do të kishin dorë të lirë për të instaluar regjimin që duan. Të qeverisur kaq keq jemi duke hyre në një tunel ku edhe ato pak drita që i mendonim të ndezura janë duke u fikur një nga një. Askush nuk duhet më të mendoj se lufta mes opozitës do t’i bëj mirë vendit dhe do na nxjerr nga tuneli.
Tuneli është shumë më i madh se kryeministri. Është e pabesueshme që ende ka njerëz të cilët i besojnë kësaj qeverie, apo të tjerë të cilët mendojnë se duke mos zgjedhur asnjë krahë qëndrojnë në një nivel i cili i mban larg nga partitë e vjetra apo dhe liderët e vjetër. Ky pushtet po na tregon përditë se këtu gjithçka mund të sekuestrohet, përvetësohet, dhunohet.
Një pjesë e mirë akoma nuk e ka kuptuar se jemi nën ligjin e bandave dhe që natyrshëm na çon në konflikte të të gjithëve kundër të gjithëve, banditi kundër qytetarit, dëshirës së çmendur për pushtet kundër punës së ndershme. Ende një pjesë e jona nuk e ka kuptuar se autokracia sjella kaosin, kaosi sjell dhunën, dhuna sjell tunelin të cilit i dimë hyrjen, por jo daljen.
E gjithë kjo situatë po çon në një kolaps moral të të gjithë vendit, një kolaps që bëhet përditë e më i keq sa më shumë të pafuqishëm bëhemi ne qytetarët. Pafuqia për të marrë vendime nuk ka për të na dhënë zgjidhjen, sepse pafuqia na “korrupton” duke gërryer çdo skutë të ndërgjegjes.
Nëse humbasim ndërgjegjen do të na duhet të vuajmë në heshtje rrëmbimin e lirisë nga matrapazët.