Kronike
Merita dhunohet nga vjehrra, policia nuk merr masa
Merita Zhobes tregon se dhunohet vazhdimisht nga vjehrra dhe kunati, për disa arsye banale.
Bashkëshorti i saj është në burg, pikërisht për këto sherre, pasi ai mbronte gruan e tij në konfliktin që ajo kishte me nënë. Merita ka marrë urdhër mbrojtjeje nga policia, por askush nga personat e akuzuar si dhunues nuk e respekton dhe për këtë policia nuk ka marrë asnjë masë.
Gruaja nga Durrësi ndihet e shqetësuar edhe për fëmijët e saj, pasi edhe ata kërcënohen dhe dhunohen psikologjikisht nga familja e burrit të dytë.
Duke marrë shkas nga ky denoncim, Policia e Durrësit ka vendosur të bëjë një reagim. Në reagimin e mëposhtëm të tyre thuhet se nga data 20 qershor deri më 29 shtator janë depozituar në polici 9 kallëzime përmes të cilave pjesëtarët e familjes Zhobe akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë në familje.
Pas datës 20 qershor, Merita është pajisur me një urdhër mbrojtje që nuk është respektuar nga asnjë prej anëtarëve të familjes së saj.
Njoftimi i policisë Durrës:
Sqarim i DVP Durrës
Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, në të cilën një shtetase pretendon se është dhunuar nga familjarët e bashkëshortit të saj dhe Policia e Durrësit nuk ka marrë masa, sqarojmë se:
Nga data 20.06.2022 deri më datë 29.09.2022, janë depozituar pranë strukturave të Policisë së Durrësit, 9 kallëzime, përmes të cilave pjesëtarët e familjes Zhobe akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë në familje.
Policia e Durrësit që nga denoncimi i parë i shtetases M. Zh., të datës 20.06.2022, ka plotësuar kërkesëpadinë për lëshimin e menjëhershëm nga gjykata të urdhrit të mbrojtjes për shtetasen M. Zh., si dhe ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Për të gjitha rastet e kallëzimeve të bëra, Policia e Durrësit ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe procedurës standarde të punës dhe materialet janë referuar në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është tërësisht e angazhuar për t’iu shërbyer qytetarëve me ndershmëri, përkushtim e profesionalizëm, si dhe inkurajon median e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërive apo të shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.