Kronike
Merret peng dhe grabitet i riu në Rrëshen, 2 të arrestuar! Gjenden edhe paratë e vjedhura
Një 19-vjeçar u mor peng dhe u mbajt në garazhin e një pallati me qëllim për ta grabitur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në Rrëshen, ndërsa policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e 2 autoreve si dhe gjetjen e automjetit dhe sendeve të tjera të vjedhura.
Sipas bluve menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 19 vjeç, se ishte marrë me forcë në automjet, nga 2 shtetas të tjerë, të cilët për t’i marrë paratë, e kishin mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në garazhin e mbyllur të një pallati në Rrëshen, dhe më pas e kishin lënë në rrugë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar përgjegjësit.
Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Telefonata”, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve Mateos Brozi 20 vjeç, banues në Rrëshen dhe Ergys Tusha 19 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 220 000 lekë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Audi A4”, me të cilin u mor me forcë 19-vjeçari, dhe 2 celularët e të arrestuarve.
Materialet procedurale i në lidhje me rastin i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.