Aktualitet
Mes pazareve akademike dhe filozofisë së rezistencës kombëtare si zë kundër “shkëmbimit të territoreve” përmes formulës së “korrigjimit të kufijve”

Nga Hisen Berisha
Mes pazareve akademike dhe filozofisë së rezistencës kombëtare si zë kundër “shkëmbimit të territoreve” përmes formulës së “korrigjimit të kufijve”
Nën petkun e një eufemizmi diplomatik si “korrigjimi i kufijve” përmes “shkëmbimit të territoreve”, fshihet një projekt i strukturuar për zhbërjen integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Nuk është befasuese që këto ide artikulohen nga dy figura me tituj akademikë, të afiluar ideologjikisht me doktrinat politike të kohës, mbi të cilat ndërtuan karrierën nën “bekimin” institucional të sistemit, qenkan promovuar si zëdhënës të projekteve gjeopolitike të Serbisë, tashmë të ricikluara përmes “tezave të reja shkencore”.
Këta paskan dalë publikisht në mbështetje të idesë për “shkëmbim territoresh” përmes tezës së “korrigjimit të kufijve” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe trevës së saj lindore (Kosovës Lindore), e cila në diskursin serb përkthehet si “Preshevska Dolina / Lugina e Preshevës” – terminologji që tashmë po e përdorin me lehtësi edhe akademikët tanë. https://www.facebook.com/share/v/1AWd8YArek/?mibextid=wwXIfr
Pas kësaj nisme fshihet një plan për të “dhuruar” territorin verior të Kosovës, që përfshin komuna me popullatë shqiptare autoktone, por që dominohen nga kolon të sjellë në kohën e regjimit famëkeq të Rankovicit e Jugosllavisë titiste, si Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe po planifikohet ti bashkëngjitet edhe pjesa veriore e Mitrovicës – e krijuar tashmë si njësi e re territoriale administrative; të gjitha këto të shkëmbehen me disa fshatra në Preshevë dhe Bujanoc – troje autoktonë shqiptare po ashtu – ndërkohë që Medvegja dhe Tërnoci as nuk përmenden.
Me fjalë të tjera, tokat shqiptare po planifikohen të ndërrohen me toka po shqiptare. Kjo nuk është vetëm absurditet logjik, por është në thelb është një tezë e përshpejtuar e serbizimit të trevave shqiptare. Shkëmbimi i territoreve shqiptare me territore po ashtu shqiptare është thelbësisht antikombëtar dhe shërben vetëm si instrument i realizimit të objektivave të hershme të Beogradit që është ndarja përfundimtare e Kosovës dhe vendosja e një entiteti serb brenda territorit të saj, nën maskën e një “kompromisi historik”.
Rrënjët e kësaj ideje dhe kjo qasje nuk është as e re dhe as spontane. Në vitin 1996, vetë kryekrimineli Slobodan Millosheviç kishte propozuar një formulë identike: 26% e territorit të Kosovës t’i mbetej Serbisë dhe pjesa tjetër t’i bashkëngjitej kujtdo që shqiptarët dëshironin – përfshirë Shqipërinë. Po kjo ide u ringjall pas luftës, deri në vitin 2004 nga një grup “strategjik” i udhëhequr nga akademiku Rexhep Qosja. Sipas të dhënave që u ekspozuan gjatë asaj periudhe, ky grup punonte për një “shkëmbim të fshehtë” të territoreve që synonte të ridizajnonte arkitekturën territoriale, politike dhe etnike të Kosovës.
E njëjta agjendë, me një ekip më të zgjeruar dhe të njëjtët protagonistë, tani del në sipërfaqe pikërisht në një periudhë kur Kosova përballet me krizë kushtetutshmërie të brendshme dhe presione ndërkombëtare për marrëveshje që favorizojnë entitete etnike me status ekstraterritorial.
Në kundërpeshë të kësaj agjende që synon fragmentimin kombëtar në emër të “bashkimit”, duhet ti referohemi filozofisë politike të doktorit të letërsisë Ibrahim Rugova, i cili, ndonëse jetim nga lufta dhe dhuna serbe, mbeti përherë i përkushtuar ndaj konceptit të “Shqipërisë Natyrale”.
Ai zgjodhi një strategji afatgjatë, të mundimshme dhe me orientim të qartë perëndimor, që kërkonte durim, sensibilizim ndërkombëtar dhe bashkërendim me SHBA-të, duke e parë dialogun si një mjet strategjik në shërbim të qëllimeve të larta, por kurrsesi si instrument për nënshtrim.
Ai e quante tërë hapësirën shqiptare “Shqipëri Natyrale” dhe megjithëse e kishte të qartë se nuk e kishim momentumin politik dhe as kostelacionin e Forcave as në shtetin amë, e as ne suaza ndërkombëtare që të mbështetej e drejta jone për bashkim kombëtar apo për tu bashkuar në Shqipërinë Natyrale, ai vendosi t’i paraprijë një rruge që nuk përjashtonte luftën, por e shtynte si mjet i fundit, kur çdo mundësi politike të ishte shteruar.
“Rugovizmi” si filozofi e rezistencës kombëtare, nuk kërkonte ndarje territoriale për të arritur bashkimin kombëtar, por konsolidim institucional dhe ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare, që do ta përgatiste terrenin politik, për një luftë të suksesshme diplomatike dhe ushtarake. Rugova ndërtoi një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare përmes lëvizjes politike që ai themeloi dhe udhëhoqi, e cila shtrihej në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, Greqi dhe mërgatë – përveç Shqipërinë Londineze, ku demokracia që sapo kishte ardhur e mbështeste ketë kurs politik të Kosovës.
Ishte një platformë gjithëkombëtare që nuk mohonte asnjë pjesë të kombit, pavarësisht statusit administrativ apo gjeopolitik të asaj kohe. Një shtrirje e cila, për nga thellësia politike dhe ideologjike, përfaqësonte një lëvizje mobilizuese kombëtare, në kontrast të plotë me formulat e copëtimit territorial që po promovohen sot.
Ide të tilla në diplomaci, larguan nga politika ish sekretarin e shteti z. Bolton, mu për shkak të shkeljes në vijat e kuqe të diplomacisë amerikane dhe gjeostrategjisë për rajonin – Kosovën në veçanti. Kjo ndohi pikërisht nën administratën e Presidenti Trump; si President i dorës së fortë, diplomacisë direkte, dhe ralpolitkes ku ndonjëherë “paqja nuk ndërtohet vetëm përmes diplomacisë së butë, por edhe përmes fuqisë dhe imponimit strategjik.
Përfundimisht është lufta e UÇK që e konfirmoj me forcën e armës, proces politik e diplomatik, me marrëveshje ndërkombëtare, me shpalljen e pavarësisë dhe njohjen nga SHBA të shtetit të Kosovës “në kufijtë ekzistues”, që hoqi çdo pretendim ndaj Kosovës – shtet unitar – me të drejtën e konfirmuar edhe nga GJND që të jet sovrane dhe e pavarur.
Por sot, akademikë të cilët dikur ishin nën subordinimin politik të Presidentit Rugova, nga heshtja politike kanë kaluar në protagonizëm akademik – kanë marrë rol zëdhënësish të pavetëdijshëm ose të vetëvendosur të një agjende të artikuluar në laboratorët ideologjikë të Serbisë, që kërkon të ndërtojë realitete të reja në terren përmes dështimeve tona të brendshme. Kur nuk janë luanët, në skenë dalin protagonistë të zëshëm që dikur nuk do kishin guxuar të artikulonin as si tezë më periferike. Dhe këtë nuk e bëjnë më vetëm në formë teorike por janë bërë zëra që përfaqësojnë vazhdimësinë e një agjende të artikuluar përmes elaboratesh anti-shqiptare
Një prej këtyre akademikëve ka deklaruar publikisht në një intervistë për TV21 se “duhet të kemi mirëkuptim për nevojën strategjike të Serbisë për dalje në det”, duke sugjeruar që pjesa veriore e Kosovës t’i ofrohet Serbisë si rrugë dalëse. Kjo nuk është vetëm një deklaratë servile; është një tradhti ndaj gjakut të derdhur për liri dhe shtet, një dështim moral dhe strategjik ndaj betejës për liri që ky popull e ka paguar me çmim jete, e që duhet ndalur me çdo mjet e formë.
Nëse kjo agjendë realizohet, atëherë përjashtohet nga kombi dhe atdheu jo vetëm Kosova Lindore, por edhe Sanxhaku, shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni, Çamëria dhe diaspora e përçudnuar. Zëri për bashkim kombëtar me minus 24% territor dhe pa shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës, është në fakt një projekt për ndarjen përfundimtare të kombit. Dhe kjo nuk është retorikë.
Plani Franko-Gjerman, i artikuluar si marrëveshje ndërkombëtare, po synon t’i japë Serbisë jo vetëm “vetëmenaxhimin”, por edhe statusin eksterritorial të trashëgimisë ortodokse shqiptare, duke legjitimuar një entitet politik serb brenda territorit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, akademikët tanë po i japin kësaj qeverie një narrativë që i shërben kësaj ndarjeje.
Kjo qeveri, e mentoruar nga figura të tilla akademike, ka dalë në skenë pikërisht kur liderët e luftës dhe lirisë po përballen me betejën e fundit për të mbrojtur identitetin e UÇK-së dhe shtetësinë e Kosovës. Është kjo një rastësi? Jo. Është përkufizimi i një skenari të ndërtuar me kujdes për ta përmbyllur projektin e zhbërjes së Kosovës – kur ajo është më e dobët institucionalisht dhe më e vetmuar ndërkombëtarisht.
Popullsia shqiptare në Kosovën Lindore duhet të veprojë për ndërtimin e identitetit të vet kombëtar, territorial e politik, në trojet e tyre autoktone, përmes sensibilizimit politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Në Sanxhak, duhet të rifitohet ndjenja e përkatësisë kombëtare shqiptare përmes edukimit, kulturës dhe vetëdijesimit politik, duke kundërshtuar transformimin në një komunitet të paidentifikuar kombëtarisht.
Akademikët në këto treva, por edhe në Shqipëri, duhet të ndihmojnë në këtë proces përmes një filozofie politike të përgjegjshme, të strukturuar dhe të përkushtuar – që është, në thelb, një strategji e re kombëtare nga përvoja e viteve të 90-ta. Të drejtat fitohen me dije, diplomaci dhe, kur harxhohen mjetet politike e diplomatike në koordinimi me aleatet, edhe me qëndresë. Siç thoshte Sami Frashri: “Shqiptarët do i fitojnë të drejtat e tyre me hir ose me pahir – duhet t’i kërkojnë me fjalë, por edhe pushkën ta kenë plot.”
Linku i deklaratave në koment:

