Aktualitet
Mesazh i fortë nga Washingtoni/ SHBA-të ‘bekojnë’ planin Shqiperi-Kosove-Kroaci për mbrojtjen
Një zyrtar amerikan ka përshëndetur për herë të parë nismën e bashkëpunimit në Mbrojtje mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv për sigurinë rajonale.
Përmes një deklarate ekskluzive për Albanian Post, ai konfirmoi mbështetjen e SHBA-ve për ‘të gjitha format e koordinimit mbrojtës’ mes vendeve partnere në Ballkan.
“Mbështesim bashkëpunimin mbrojtës mes të gjithë partnerëve tanë ballkanikë”, theksoi zyrtari në një përgjigje zyrtare për AP-në.
Kjo deklaratë vjen në një moment kyç për arkitekturën e sigurisë në rajon, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar nismës shqiptaro-kroate për Mbrojtjen.
Pesë muaj pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova kanë kaluar në fazën e zbatimit praktik të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Sipas një raportimi të mëparshëm nga Radio Evropa e Lirë, janë hartuar plane të strukturuara për koordinimin ‘e thelluar’ ushtarak dhe blerje të përbashkëta armatimi, përfshirë edhe nga SHBA-të.
Më 18 korrik në Tiranë u mbajt takimi i parë operacional, ndërsa në shtator pritet të miratohet udhëzuesi zbatues nga të tre ministritë.