Rajon
Mesazhi i Abazoviç për Kurtin: Fli rehat, jemi shtet paqësor
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i thotë që të flejë rehat e të mos shqetësohet për të ardhmen e Malit të Zi. Sipas Abazoviç, edhe me fitoren e Jakov Millatoviqit si president, Mali i Zi do të vazhdojë të jetë një shtet paqësor.
Në pyetjen rreth akuzave se presidenti i ri malazezas është pro-serb e pro-rus, Abazoviç vlerësoi se është i gëzuar për fitoren e Millatoviqit, të cilin e quajti si “profil pro-evropian”.
“Presidenti i ri i Malit të Zi është një profil pro-evropian. Unë jam shumë i gëzuar që i ka fituar zgjedhjet, shpresoj që ka përfunduar një erë e nëntëdhjetave, e cila ka qenë në Mal të Zi dhe mendoj që në të ardhmen kemi me pasur një politikë shumë më të relaksuar dhe me hapa shumë më të shpejt do të shkojmë drejt integrimit evropian” – vlerësoi ai.
Sipas Abazoviç, Mali i Zi do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën edhe pas fitores së Millatoviqit.
“Mendoj që nuk do të ndërrohet raporti me Kosovën. Raportet me Kosovën janë shumë mirë, shumë në rregull, qeveritë bashkëpunojnë ngushtë. Jam i bindur që edhe presidenti do të bashkëpunojë me të njëjtin vullnet” – deklaroi ai.
Reagimi i Abazoviç për Kurtin erdhi pasi ky i fundit tha se është shumë i shqetësuar për të ardhmen e kombit tw Malit tw Zi, duke pretenduar se me fitoren e Jakov Millatoviqit do t’i hapet rruga për zhdukjen e kombit malazezas.