Connect with us

Shkrime

‘Meta ‘ia mat kokën me spango’ Berishës, ka rritur stekën e kërkon gjysmën në listën e kandidatëve për deputetë’

Nga Jakin Marena

Partia Demokratike e ndarë në disa pjesë, ka një ëndërr në ‘sirtar’, mundjen e Edi Ramës dhe rrëzimin e PS nga pushteti, teksa kanë qëndruar për 3 mandate në opozitë. Kërkesë modeste kjo.

Por qëllimi i vërtetë i këtyre pjesëve të PD është i ndryshëm. E ndarë mes Sali Berishës që kryeson Rithemelimin një grupim politik i formuar nga fraksioni më i madh i shkëputur nga PD, Lulzim Bashës kreun zyrtar të PD, si dhe grupi i bojkotuesve demokratë, të cilët luftojnë secili për hesapin e vet dhe për të realizuar qëllimin e vet.

Rithemelimi është vënë totalisht në mbështetje të ‘kauzës’ së lirimit të Berishës nga arresti shtëpiak, ku me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e ka izoluar në shtëpi nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe thyerjes flagrante të vendimeve të gjykatës.

Gjithë anëtarësia e Rithemelimit është vënë në dispozicion të kryetarit të grupimit, duke filluar nga përcaktimi i listave ditore për pjesëmarrje në tubimet e Berishës në majë të ballkonit të pallatit të tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, e deri te përcaktimi i listës për pjesëmarrje në protestat e të martës para bashkisë së Tiranës.

Me këtë organizim merret vetë pasardhësja direkte në linjë gjaku e Berishës në krye të këtij grupimi politik, vajza e tij Argita Malltezi. Është ajo, e cila drejton në prapaskenë gjithë punët e Rithemelimit, ndërkohë që zëri zyrtar janë Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi. Që dalin çdo ditë në media dhe panele televizive, duke folur në emër të Berishës dhe për Berishën.

Kanë prodhuar dhe një ‘set’ bluzash që kanë në qendër foton e Berishës, dhe të shkruar “Lironi Berishën”. Me një ‘kostum’ të tillë deputetët e Rithemelimit me në krye Nokën ‘demonstruan’ dhe para kreut të SPAK Altin Dumani, ditën kur ai raportoi për punën e institucionit më të lartë të hetimit në Komisionin e Ligjeve. Një sfidë e hapur ndaj drejtësisë së re, por ata janë të bindur se me shërbimin ndaj Berishës, i shërbejnë vetes por dhe popullit demokrat. Të paktën për këtë e kanë bindur veten, pasi nuk ka si shpjegohet ndryshe një budallallëk i tillë.

Kauzat e Rithemelimit, u bashkohet herë herë dhe Partia e Lirisë dhe kryetari i saj Ilir Meta që ka të njëjtin hall me Berishën pasi po si ai është objekt i hetimit të SPAK për dosje të ndryshme dhe të rënda gjithashtu, janë kauza ‘mobile’ dhe të rastësishme në përshtatje me rrethanat si dhe në shërbim të kreut të Rithemelimit, të mbyllur që prej 6 muajsh në arrest shtëpiak.

Pra tek Rithemelimi, përpos deklaratave verbale që reflektojnë ëndrrën për të rrëzuar Ramën, i cili për hir të së vërtetës as në ëndrrën më të bukur të anëtarësisë së këtij grupimi nuk rrëzohet me votë jo e jo, por as me mjete të tjera që përmend Doktori dhe pasuesit e tij herë pas herë në momenetet e ekzaltimit politik majë ballkonit para 30-40 vetave që mblidhen tek “Rrugica e Salës” apo para bashkisë së Tiranës, pra përpos deklaratave me rrëzim regjimi, e gjithë kauza politike e Rithemelimit përmblidhet në qëndrimin poshtë ballkonit të Berishës.

Ndonëse kemi hyrë në vitin zgjedhor, nuk ka asnjë shenjë organizimi tek Rithemelimi, për të shpalosur alternativën zgjedhore dhe bindur qytetarët ose të paktën demokratët se pse duhet t’ua japin votën atyre. Asgjë nga këto përgatitje, thjeshtë lëvizje kaotike. E dinë si dreqi se vendimi i Apelit më 11 qershor për vulën dhe logon e PD, dhe sikur të ketë gjithë qëllimin e mirë të Zotit për t’ia dhënë këtë mundësi Berishës dhe Rithemelimit, nuk kanë ku të kapen për ta bërë një gjë të tillë. Për ta zvarritur se bëjnë dot më tej, pasi e kanë bërë ‘baltë’ dhe në një formë apo tjetër vula e logoja e PD do të shkojnë ose tek Basha ose tek Berisha. Me shumë gjasa do të shkojë, tek Basha. Ai duket se i ka ‘letrat’ si më në rregull me këtë punë.

Pavarësisht se janë të bindur për fatin e vulës dhe logos, Berisha nuk ka menduar, ose sëpaku nuk e ka thënë me zë të lartë nëse do të shpallë ndonjë emër të ri të partisë së re tashmë, nuk është vështirë pasi Meta për dy ditë e bëri dhe me emërime rrufe madje një gjë të tillë, ose do të gjejë një ‘strehë’ politike për të regjistruar kandidatët e vet në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Theksojmë se është grupimi më i madh politik i opozitës, ndonëse është pa emër dhe ‘në të zezë’.

Gjasat që të jetë nën ‘strehën’ e Partisë së Lirisë janë të pakta, pasi kreu i kësaj partie Ilir Meta ka një ‘oreks’ të paparë politik, dhe kërkon që të jetë ai në krye të kësaj pjese të opozitës, dhe jo të jetë fiktivisht Sali Berisha i cili është nën arrest shtëpiak. Të paktën Meta kërkon që të bindë mbështetësit se nuk do të pësojë të njejtin fat me Berishën deri në zgjedhjet e vitit 2025. Pra shpreson të mos ketë ndonjë kërkesë nga SPAK për ndonjë arrest të mundshëm.

Dhe Meta dihet se Berishës ‘ia mat kokën me spango’, duke e rritur ‘stekën’ e kërkesave dhe duke kërkuar gjysmën e vendeve të sigurta në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Ndaj nuk bëjnë zë për ndryshimet ligjore për votimin e kandidatëve. Pra mund të kërkojë gjysmën e atyre votave që janë taksur për Rithemelimin e PL të bashkuar në një aleancë. Shembullin konkret e dhe për zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar kur i mori Berishës gati gjysmën e këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin.

Nëse Berisha nuk e pranon ‘hyqmin’ e Metës, atëherë kreut të Rithemelimit do t’i duhet t’i drejtohet Vangjel Dules, falë dhe kandidatit të përbashkët për Himarën Fredi Bejleri dhe ky në burg për blerje votash, ose ndonjë partie tjetër të vogël, ndonjërit prej fraksioneve të Ballit Kombëtar apo Partisë Demokristiane të Nard Ndokës. Të paktën sa për të shfrytëzuar logon e partisë aleate, dhe për të regjistruar kandidatët për deputetë të Rithemelimit.

Por deri më tani tek Rithemelimi nuk ka ‘erë’ zgjedhjesh. Janë në funksion të Berishës, dhe kjo për hir të së vërtetës nuk është aspak lojë politike por përballje e një grupimi të tërë politik me drejtësinë e re, përballje e mbushur me kërcënime dhe fyerje në drejtim të kreut të SPAK Altin Dumani e prokurorëve të këtij institucioni hetimor që kanë lidhje direkt me hetimin e Berishës, apo me gjyqtarët e posaçëm, me ata që kanë në dorë dosjet e Berishës.

Protestojnë dhe para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar përmes molotovit dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj, i cili për hir të së vërtetës në 2027 e përfundon vetë ciklin e tij në krye të bashkisë së Tiranës, pasi sipas Kushtetutës nuk mund të kandidojnë më për një mandat të katërt në krye të bashkisë më të madhe në vend. Ndaj themi se kjo pjesë e opozitës po harxhon kohë, nerva dhe energji për një kauzë që në të vërtetë është një bllof.

Kapin dhe ndonjë ‘kauzë’ të rastit, blofuese më tepër, siç ishte dhe rasti më i fundit i dhunimit të avokatit të Berishës, Sokol Mëngjesi nga katër të rinj këtë të mërkurë, për hesapet e tyre në lidhje me një gjyq pronash, por që Berisha dhe mbështetësit e tij deri në momentin e vetëdorëzimit të njërit prej autorëve që u rrëfye për arsyen e kësaj dhune ndaj avokatit, deklaronte se i kishte dërguar Rama për ta rrahur avokatin e Berishës, si presion për mbrojtjen që i bën kreut të Rithemelimit. Ishte çështje private sepse avokati nuk mbron vetëm Berishën, ka shumë e shumë çështje të tjera. Aq më tepër që sikurse thonë dhe kolegët e tij, Mëngjesi është një ndër avokatët më të mirë në vend dhe çështjet e mëdha për të mbrojtur i ka me shumicë.

Pjesa tjetër e opozitës, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha, ndonëse thuhet se po bën fushatë derë më derë tek demokratët për t’i larguar nga Berisha apo bojkoti, ka një mbështetje modeste. Të paktën këtë thonë dhe sondazhet serioze deri më tani. Ka mbështetje më pak se sa gjysma e Rithemelimit të Berishës dhe kjo është një e vërtetë e dhimbshme, por e drejtuar nga një dembel funksional dhe një lider që nuk ngjit askund si Lulzim Basha, kjo pritej prej tij. Të paktën deri më tani, ndoshta në të ardhmen ka dhe dyfishim mbështetjeje, pasi PD zyrtare është e vetmja që artikulon alternativa dhe propozime nga copat e ndara të PD. Alternativa si sytë e vet, por të paktën i artikulon. Por dhe godet majtas e djathtas, pasi e ndjen veten të paktën deri më tani jashtë ‘rrezes’ së goditjes së SPAK. Të cilin e mbështet publikisht.

Mbi të gjitha, përpos drejtësisë së re, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha ka dhe një orientim Perëndimor, deklaron aleancën me SHBA, Britaninë e BE, përkundër Berishës dhe Rithemelimit që SPAK-un dhe partnerët tanë ndërkombëtarë i ka vënë në qendër të goditjes, duke i shpallur armiq të opozitës, dhe sipas tij, të kombit shqiptar.

Ndërsa pjesa më shumicë e demokratëve dhe mbështetësve të tyre që kanë bojkotuar zgjedhjet me radhë, sepse nuk dinë kujt t’ia japin votën, janë sërish në kaos e gjasat janë që të mos votojnë askënd, por të rrinë në shtëpi ditën e votimit. S’kanë për kë votojnë në këtë PD të ndarë në disa copa dhe të shuar thuajse përfundimisht.

Për hir të së vërtetës dhe sikur të mblidhen të gjitha votat e Rithemelimit, të PD zyrtare, të PL së Metës dhe tërë opozitarëve të tjerë që janë kundër Ramës dhe PS, bëjnë vetëm pak më shumë se gjysma e votave që kjo mazhorancë merr dhe sikur zgjedhjet të zhvillohen ditën e sotme. Pra e ka të sigurtë PS mandatin e katërt qeverisës. Madje me humor njerëzit thonë se “Rama po bën fushatë për mandatin e pestë qeverisës, për atë që ai e quan Shqipëria 2030”. Pra PD dhe opozita në tërësi as në rastin më fatlum nuk i afrohet me vota PS-së. Ndaj i janë ‘dorëzuar’ kauzave të tjera, atyre të rastësishme dhe me objekt kryesor, Berishën. “Rrotullohen” rreth ballkonit.

Për hir të së vërtetës PD dhe opozita duket sikur është ‘mbyllur’ në “Rrugicën e Salës”, sikur është atrofizuar tek pallati i Doktorit në qendër të Tiranës, në funksion tërësor të hallit të tij dhe familjes së tij, që kanë me drejtësinë, për dosjet e rënda që kanë në ngarkim. Kjo është kauza e vetme e grupimit më të madh politik kur kemi hyrë në vitin zgjedhor, dhe në një distancë të konsiderueshme rreth saj ‘vërtitet’ PD zyrtare e Bashës, në përpjekje për të shkëputur ndonjë pjesë të anëtarësisë dhe mbështetjes së Rithemelimit, për partinë që ai drejton.

Duke parë dhe situatën që po zhvillohet për lidershipin e Rithemelimit, me shumë gjasa do ta drejtojë pas Berishës, vajza e tij, Argita Malltezi, praktikisht PD në të gjitha pjesët është drejt greminës dhe shuarjes së plotë. I ngjan një dyqani të mbyllur që shërben përmes dyerve të brendshme të komunikimit, vetëm për familjarët e vet. Jo për qytetarët. Pra ‘dyqani’ PD e ka ulur “qepenin”, nuk shërbehet më për ‘klientët’, është vetëm për familjarët e Doktorit.

Dhe ngjan me ato dyqanet e mbyllura në Tiranë, që shkruajnë në derë ‘likujdim’, dhe ‘mbyllur’. Ndërkohë që Berisha nga kati i tetë i pallatit, duket si ata pleqtë e familjes që u kujtojnë klientëve të vonuar apo që nuk kanë lexuar çfarë shkruhet në derë, se ‘dyqani është mbyllur mor bir’. Në këtë situatë është katandisur PD e ndarë në disa copa dhe që Berisha nga njëra anë e quan pronë të vetën që bën çfarë të dojë me të, dhe Basha nga ana tjetër që s’ka lidhje me lidershipin. Pjesa tjetër e opozitës futet në ‘seksionin’ të ‘tjerat’. Pra pa peshë politike.

Advertisement