Connect with us

Rajon

Mickoski për Taravarin: Zgjodhi përqafimin e BDI-së, përgatitemi për zëvendësime

Kryeministri Hristijan Mickoski ka vijuar me tonin kritik ndaj ish-aleatit të tij qeveritar, Arben Taravari, duke mos ndryshuar asnjë fjalë nga akuzat e mëparshme se lideri i Aleancës për Shqiptarët është rikthyer në “përqafimin e BDI-së”. Pavarësisht deklaratave të Taravarit, i cili pretendoi se Mickoski është i keqinformuar, kryeministri duket i palëkundur në qëndrimin e tij.

“Komiteti qendror i partisë më dha leje që në periudhën e ardhshme të nominojmë emra të rinj që do të zëvendësojnë ata që vendosën të shkojnë në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së, më saktë kuadrot e partisë së z. Arben Taravari,” deklaroi Mickoski për mediat, duke konfirmuar zyrtarisht nisjen e procesit të zëvendësimit të ministrave dhe funksionarëve të Aleancës për Shqiptarët.

Kreu i ekzekutivit nuk zbuloi ende se kush do të marrë pozitat që deri më tani i mbanin përfaqësuesit e ASh-së, por paralajmëroi se javën e ardhshme do të bëhen publike emrat dhe hapat e mëtejshëm. Ai shtoi se është ende e paqartë nëse ministrat aktualë do të dorëhiqen vetë apo do të shkarkohen.

“Në periudhën e ardhshme shumë gjëra do të sqarohen. Kini durim, do të bisedojmë dhe në ato bisedime do të arrijmë marrëveshje. Javën e ardhshme pres t’ju them më shumë gjëra rreth kësaj teme,” theksoi Mickoski.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE ka shtuar akuzat ndaj Taravarit, duke e cilësuar veprimin e tij si një manovër politike për të fshehur, sipas tyre, presionet dhe shantazhet që i janë bërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Partia i kërkoi liderit të ASh-së të flasë hapur për cilat klane biznesi kanë ndikuar në vendimin e tij dhe për çfarë arsye.

Kjo përplasje e vazhdueshme mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët pason daljen zyrtare të kësaj të fundit nga koalicioni qeveritar, duke lënë hapësirë për një riformatim të kabinetit dhe një periudhë të re tensioni politik në vend.

Advertisement