Aktualitet
Minxhozi: Berisha po vuan vakuumin e ndërkombëtarëve dhe përkrahësve në sheshe
Analisti Skënder Minxhozi foli për hetimin për ish-kryeministrin Sali Berisha. Minxhozi tha se kjo ngjarje është një zhvillim historik, duke shtuar se lojërat e familjarëve dhe Berishës do të mbarojnë, sepse nuk mund të vazhdojnë të fshihen.
“Steka është ngritur shumë lart. Hetimin e Berishës duhet ta vendosim në kontekst. Kjo ngjarje edhe me gjithë ngecjet, kontradiktat ligjore apo lojën politike nga mbrapa është një zhvillim historik, ku një ish-kryeministër hetohet zyrtarisht, ndërkohë që në këtë vend kemi parë që ka shkuar deri tek ish-ministra. Pra steka është ngritur. Lojërat e familjarëve dhe Berishës do të mbarojnë, nuk mund të vazhdosh të fshihesh. Ai që betohej se ishte kundër imuniteteve ai po fshihet pas një imuniteti që nuk i shërben dot. Pasi në substancë do të kalojë.
Vetëm se nuk ka mundur të bindë dikë të vijë në bulevard sepse për dëshirën e tij do t’i kishte bërë nja 10 mitingje deri tani. Ajo që po ndodh me Berishën është një varavingu e 10 burrave. Është një ngjarje që po konsumohet pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve që më parë ndërhynin për të gjetur kompromis mes palëve dhe tjetra ka indiferencë të publikuar që sheh gjithçka dhe nuk del nga shtëpinë qoftë edhe militantët. Ky është problemi i madh i Berishës, i mungon mediacioni ndërkombëtar dhe vëmendja e publikut”, tha ai.