Connect with us

Kosova

MISIONI I PAMUNDUR i paqes Kosovë-Serbi për faj të dyshes Kurti-Vuçiç

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Thomas Countryman, ka thënë se përgjegjësia për ngërçin në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk është as në Bruksel e as në Uashington, por në Prishtinë dhe Beograd. Countryman u shpreh se procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nën mandatin presidencial të Donald Trumpit në Shtëpinë Bardhë.

“Nuk do komentoj për Palestinën dhe Ukrainën, por kur bëhet fjalë për Ballkanin, problemi mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë prioriteti i parë i Trumpit. Në fakt, nuk do të jetë as ndër 50 prioritetet kryesore”, ka konsideruar Countryman duke potencuar –  “Më duket se problemi i dialogut nuk është as në Uashington dhe as në Bruksel, por problemi është në Beograd dhe Prishtinë. Dhe presidenti i ri amerikan nuk mund ta ndryshojë këtë fakt”

Duke folur për mundësinë e rikthimit të projekteve me karakter territorial për zgjidhje të problemit midis dy fqinjëve armiqësor rajonalë nën mbikëqyrjen e SHBA-së, ai ka potencuar se konfliktet nuk mund të zgjidhen nëpërmjet shkëmbimit të territoreve.

“Kam thënë pesë vjet më parë kur u përmend për herë të parë se nuk ishte një ide e mirë. Nuk është një ide e mirë sepse atëherë nuk do të kishte fund. Nuk ka shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe nëse një vend nuk mund të jetojë si një vend multietnik, problemi nuk mund të zgjidhet duke shkëmbyer njerëz apo territore”.

Ndryshe, përballë një të ardhmeje të pasigurt për shkak të paparashikueshmërisë së Trumpit, disa shpresojnë se kursi i Shteteve të Bashkuara nuk do të ndryshojë, ndërsa të tjerët druhen se rajoni mund të përballet me një varg problemesh nëse Uashingtoni tërhiqet nga roli i përhershëm e historik si garancë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Advertisement