Kronike
Misteret e një dosje të ‘ngatërruar’…
Nga Elton Qyno
Një nga emrat e njohur të botës së krimit në vend, siç është Andrea alias Renato Çaushi, ka mundur ti shpëtojë ndjekjes penale dhe të kapërcejë hendekun e Drejtësisë së Re Shqiptare. Kjo është hera e dytë që Çaushi, përmes mekanizmave policorë në komisariatin e Sarandës dhe ekspertizave të policisë shkencorë, arrin të shmangë akuzat e prokurorisë së Shtetit. Hera e parë, kur ai la prokurorinë me “gisht në gojë”, ka ndodhur pikërisht në operacionin e koduar “Viluni”, një dosje kjo e hetuar nga prokuroria Italiane dhe ajo e Krimeve të Rënda, por që Çaushi doli nga burgu përmes vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. E mandej akuzat ndaj tij për përfshirjen në trafik droge ranë.
Çaushi, i cili u arrestua në Sarandë në 13 nëntor 2021 në një operacion në heshtje nga komisariati i Sarandës, rezulton të jetë “zhveshur” nga akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Kjo akuzë është hequr nga supet e Renatos, duke u transferuar në shpinën e një personi tjetër të quajtur Eugert Bakalli 38-vjeç nga qyteti i Fierit. Ky i fundit shok i Renatos së Tepelenës. Me rënien e akuzës tashmë Renato, rimer mbrapsht dhe 50 milion lekë të vjetra, të mbyllura në një bankë të nivelit të dytë si garanci pasurore për të dalë nga burgu. I skeduar nga policia kriminale si person që meret kryesisht me kultivimin e trafikimin e lëndëve narkotike, Renato ka dalë “Kristal” nga kjo ngjarje kriminale, pasi tashmë prokuroria e Sarandës, ka çuar në gjykatën e qytetit, kërkesën për pushimin e akuzës dhe njëherësh ka marë zyrtarisht të pandehur, fierakun Eugert Bakallin.
Bakalli, sipas akuzës ka rezultuar të jetë personi që ka pasur armën pistoletë 9 milimetërshe “Sig Sauer SP 2022”. Kjo pasi nga ekspertimi biologjik që i është bërë armës, ka rezultuar se në pistoletë është gjetur një njollë biologjike, e cila teksa është analizuar ka dalë në përfundimin se kjo njollë i përket Eugert Bakallit. Por le ta marim me rradhë, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Në 13 nëntor 2021 gjatë një ndërhyrje policore për mbylljen e aktivitetit të lokaleve, gjatë orëve të natës për shkak të kufizimeve të pandemisë, në lokalin “Ekualipsi”, është ndaluar shtetasi Andrea alias Renato Çaushi. Pas prezantimit me thirrjen “…Policia për kontroll…”, në vijim, forcat policore kanë vazhduar me kontrollin fizik të personave dhe më pas… me kontrollin e vendeve të lokalit. Gjatë atyre çasteve është vënë re se: “…një nga personat e ndodhur në lokal mbante një çantë në pjesën e poshtme të sqetullave…”.
Ky person “…pasi i është kërkuar që t’i nënshtrohet kontrollit të çantës…, ka refuzuar dhe në përpjekje e sipër, ka tentuar t’i largohej kontrollit, ku si rezultat ka shkuar në anën e jashtme të lokalit….”. Por ky largim ka qenë pa rezultat pasi pak metra më tej është bërë kapja në flagrancë e personit dhe shoqërimi i tij në ambientet e komisariatit…. Personi në fjalë rezulton të jetë shtetasi Andrea Çaushi, i cili, gjatë largimit të tij, sapo ka shkuar në anën lindore të shkallëve të lokalit ka nxjerrë nga çanta një send, ku në dukje dukej armë pistoletë dhe e ka flakur në pjesën e sipërfaqes së verandës së një biznesi ngjitur me lokalin “Ekualipsi”. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është bërë e mundur të gjendet mbi sipërfaqen e betonit një armë zjarri e llojit pistoletë, e cila kishte një krehër në folenë e krehërit me 13 fishekë.
Nga këqyrja më e hollësishme e kësaj arme u konstatua gjithashtu se kjo armë gjendej e vendosur në siguresë dhe se pjesët e lëvizshme të saj funksionojnë normalisht ende dhe sot. Momenti i arrestimit dhe konstatimit të armës është shoqëruar me procesverbal nga punonjësit e policisë që ishin në aksion dhe e eskpertit të krimeve në Komisariatin e Sarandës. Për episodin e dinamikës së arrestimit me armë në çantë dhe hedhjen e saj në verandën e lokalit, kanë firmosur 12 policë Redis Dalipaj, Kristi Prifti, Renato Yzeiraj, Albi Likaj, Marjo Hania, Orest Sinani, Alban Gjinika, Eridian Lame, Enea Abedini, komisar Mehmet Çeli, nën/komisar Edilion Kolagji dhe nën/komisar Sidrit Madhi.
Ndaj Renatos, ka nisur procedimi penal numër Nr.751 për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, ndërsa gjyqtari i Sarandës Datmir Ndreu, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarin. Renato, ka pretenduar se arma nuk është e tij dhe për pasojë ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në gjykatën e Apelit Gjirokastër, gjyqtari i çështjes Sokol Pine, ka vendosur në 1 dhjetor 2021 lirimin nga burgu të Renato Çaushit, në këmbim të 50 milion lekë të vjetra të ofruara nga i arrestuari në formën e garancisë pasurore. Lirimi i Renatos, me sa duket solli dhe metamorfozën e provave të cilat ndryshuan në ambjentet e komisariatit të Sarandës rënjësisht. Ndryshoi fakti që çanta që mbante Renato në pjesën e sqetullave nuk ishte e tija.Çanta i përkiste një personi tjetër, i cili brenda në çantë kishte portofolin dhe brenda portofolit patentën e makinës në emër të tij dhe jo të Renatos.
Doli që arma tip pistoletë dhe karikatori me 13 fishekë, nuk kishin asnjë gjurmë daktiloskopike gishti dhe biologjike të Renato Çaushit,por të një personi tjetër. E habitshme se si nuk mund të jetë lënë asnjë gjurmë gishti, në një kohë që policët në operacion kanë pasqyruar në procesverbale, se Renato, ka nxjerë armën nga çanta dhe e ka hedhur në verandën e lokalit. E gjitha kjo metamorfozë provash, ka ndodhur pikërisht nën hundën e shefit të komisariatit Sarandë, Klodian Kondi, specialistëve të krimeve në komisariatin Sarandë dhe ekspertëve biologjikë të Policisë së Shtetit. Ekspertiza biologjike, ka nxjerë se faktorët biologjikë të konstatuar në sipërfaqen e armës tip “Sig Sauer SP 2022”, i përkasin një personi tjetër që quhet Eugert Bakalli nga Fieri dhe jo Renato Çaushit të Tepelenës.
Për shkak të kësaj ekspertize, të kryer nga laboratori i Policisë së Shtetit, prokuroria e Sarandës, ka kërkuar në 12 Maj 2022 arrestimin e Eugert Bakallit, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Gjykata e Sarandës, ka vendosur në mungesë masën e “arrestit në burg” dhe pas arrestimit të tij në Fier në 26 Maj, Bakalli është lënë në masën e “arrestit në shtëpi”. Sot çështja penale me nr.751 ka ndryshuar të akuzuarit dhe të arrestuarit. Ku Renato s’ka asnjë akuzë dhe s’rezikon asgjë. Ndërsa miku i tij Eugert Bakalli, është nën akuzë dhe rrezikon një dënim nga 5 deri në 7 vite burgim për “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”. Policia e Sarandës në lartësinë e duhur…