Connect with us

Kronike

Misteri i vrasjes/ Mataj dyshohet se kishte ‘lidhje dashurie’, reagon babai i viktimës

Ramazan Mataj ishte personi i parë që u vra për këtë vit, duke rikthyer edhe njëherë “vëmendjen” në Shkodër. 33-vjeçari u ekzekutua vetëm 2 kilometra larg banesës së tij, ku edhe ishte duke shkuar me mjetin e tij, tip “Mercedez Benz”. Por nuk e dinte që i ishte bërë pritë. 1 ose 2 persona, nuk është ende e qartë as për grupin hetimor, kanë qëlluar ndaj tij me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend. Ai u gjet në mjet i vrarë mëngjesin e 5 janarit, rreth 8 orë pasi ngjarja kishte ndodhur, nga banorët e zonës që lajmëruan familjen e të ndjerit dhe Policinë e Shtetit.

I riu, kishte 1 vit që ishte kthyer nga Belgjika, ndërsa me kthimin në Shqipëri, ai ka punuar në Ulqin të Malit të Zi,në sektorin e ndërtimit. Ndaj pistat për shkakun e vrasjes së tij deri më tani janë vetëm 2. Njëra ka lidhje me të shkuarën e tij, edhe pse i riu është pa precedentë penalë si në vendin tonë, edhe jashtë.

I vetmi procedim penal ndaj 33-vjeçarit rezulton për prerje të paligjshme të pyjeve.

Megjithatë është një pikë që nuk është përjashtuar nga hetuesit e vrasjes. Për të mësuar më  shumë lidhur me aktivitetin e të riut jashtë vendit, do të merret në pyetje vëllai i tij, i cili ende jeton në Belgjikë.

Një tjetër pistë që po hetohet është edhe ajo e konflikteve personale, edhe pse babai i të ndjerit e përjashton si mundësi.

Dyshohet se Ramazan Mataj ka ngacmuar vajza në rrjetet sociale, histori të cilat mund të kenë krijuar debate të cilat fatkeqësisht përfunduan në tragjedi. Por për familjarët e të ndjerit, nuk qëndron, pasi i riu kishte në plan që të fejohej shumë shpejt. Për të hedhur dritë mbi dyshimet, aparati celular i të riut, i cili u gjet në makinën e tij, është dërguar në laborator për t’u hapur. Kjo është shpresa kryesore e hetuesve për të shkuar drejt një identifikimi të autorit apo autorëve të dyshuar. Ndoshta, autori ka komunikuar me ndonjë telefonatë apo mesazh me viktimën dhe ka lënë gjurmë të mjaftueshme për t’u identifikuar.

Advertisement