Connect with us

Kronike

Misteri i vrasjes së palestinezes në Tiranë/ Pse çifti përdori identitete të rreme kur hyri në Rinas?

Vrasja me thikë e 24-vjeçares palestineze në Tiranë nga një 49-vjeçar po me të njëjtën origjinë shton misteret për grupin hetimor, të cilët nuk janë të bindur nëse emrat me të cilët ata janë prezantuar në Shqipëri janë të tyre të vërtetë.

Më datë 19 shkurt kur Fati dhe Rayyan Alwan hynë në vendin tonë si turistë, në Rinas u prezantuan me dokumente greke. A2 CNN mëson se hetuesit kanë ngritur tashmë hije dyshimi se pikërisht këto dokumente mund të jenë të falsifikuara dhe identitetet e tyre nuk janë të saktë.

Për këtë dyshim, si dhe për të faktuar nëse i dyshuari si autor krimi është bashkëshorti apo babai i saj, pala shqiptare u ka kërkuar informacion homologëve në Gjermani, vend ku jetonin dy palestinezët, përgjigje e cila nuk ka ardhur ende. E nëse pala gjermane fakton dyshimet se 49-vjeçari i shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar është babai i vajzës 24-vjeçaret, ndryshon tërësisht rrjedhën e hetimit si dhe motivet e krimit.

E reja u gjet e pajetë në banesën që kishin marrë me qira në Tiranë më datë 27 shkurt. Por krimi makabër dyshohet të ketë ndodhur nga data 19 që kanë hyrë në Shqipëri deri më datë 22 shkurt, kur 49-vjeçari është larguar i vetëm nga aeroporti Rinasit. Fillimisht ai udhëtoi drejt Greqisë e më pas në Holandë. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e policive europiane për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Advertisement