OPINION
‘Mos buzëqeshni…’/ Si ta shkatërrosh turizmin në Jug
Nga Lutfi Dervishi
Frymëzuar nga protestat e banorëve në Barcelonë kundër turistëve, duket se në Jug të Shqipërisë po gjendet një zgjidhje më efikase për të mos pasur pushues. Ndryshe nga protestat në Spanjë këtu gjithsecili e ka të qartë planin se si zbohen turistët.
1. Çmimet, çmimet, çmimet
Rrisni çmimet për gjithçka—hotelet, ushqimin dhe madje edhe ato të suvenireve që askush nuk i hedh sytë. Sigurohuni që një pjatë me peshk të kushtojë më shumë se një pagë mujore, dhe është e sigurt që turistët do të vrapojnë përsëri në shtëpitë e tyre. Çmimet mos i bëni publike dhe nëse ndonjë i marrë vjen për herë të dytë, ofrojini çmime që t’i mbajë mend gjithë jetën.
2. Mos buzëqeshni
Qëndroni ngrysur. Bëni që çdo turist të ndihet si mysafir i paftuar. Nëse qëlloni që shërbeni një kafe, bëjeni të ndihet sikur i keni dhuruar një veshkë. Sigurohuni që përshtypjet e tyre në Booking apo Airbnb të jenë 100% negative. Kjo do të ketë efekt parandalues për të tjerët.
3. Stop kafesë
Mos harroni se ai që porosit kafe do që të zërë tavolinën për dy orë dhe t’ia hedhe me 200 lekë. Në një vend ku kafeja është vetë jeta, deklarimi i saj si jo fitimprurës dhe kështu i panevojshëm është baraz me ndërprerjen e oksigjenit. Imagjinoni tmerrin në fytyrën e një turisti apo shqiptari kur merr vesh se nuk mund ta fillojë apo ta mbyllë ditën me një filxhan kafeje. Panik i garantuar, eksodi i menjëhershëm.
4. Kujdes çadrat!
Trefishoni çmimin e tyre. Mos harroni luftën në Ukrainë dhe Gaza dhe rritjen e çmimit të karburantit. Prezantoni një tarifë “hije premium”. Bëjeni qëndrimin në hije aq të shtrenjtë sa të rezervosh një suitë në Ritz. Turistët, në mos nga çmimi, do të përcëllohen nga dielli dhe do të largohen me turravrap, duke marrë me vete kremrat e diellit dhe eurot që këtu tani nuk i hyne në punë as dreqit.
5. Ujë dhe drita!
Ndërpritni ujin dhe dritat herë pas here, dhe lini qentë endacakë të bredhin në plazhe dhe të ushqehen me mbeturina.
6. Qeveria
Për të dëbuar turistët, edhe qeveria duhet të bëjë pjesën e saj. Çmimet e kalimit të rrugëve mund të dyfishohen. Tarifa 5 apo 3 euro janë fyerje për ambiciet e qeverisë. E çfarë janë 15 euro për të shijuar tunelin që nuk e ka asnjë vend në Europë?
7. Mos ndiqni shembullin e Veriut
A e shikoni sa njerëz ka në Veri apo edhe në Pogradec? Plot. Më shumë turistë do të thotë më shumë telashe, më shumë punë, më shumë mbeturina. A ja vlen të punohet! Boll kanë punuar njerëzit tani është koha e Inteligjences Artificiale.
Dhe për fund…
Pasi të keni zbatuar me përpikmëri këto këshilla, uluni këmbëkryq në një plazh të zbrazët, shijoni qetësinë absolute dhe reflektimet filozofike mbi kuptimin e jetës. Dhe kur të pyes ndokush se pse nuk ka më turistë, përgjigjuni me një buzëqeshje enigmatike: qafën thefshin.
Me këto çmime dhe sherbime është e sigurte qe Riviera jonë me plazhe gjithë dritë dhe ujë kristal do të kthehet në një oaz qetësie ku do të dëgjohen vetëm oshëtima e valëve dhe zukatjet e gjinkallave.