Connect with us

Shkrime

Mosbindje civile? Po civilët ku janë?!

Nga Skënder Minxhozi/

Nëse kërkon në internet për të gjetur rrënjët e lëvizjes imagjinare civile në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit, do të gjesh pa shumë mund një listë të gjatë deklaratash solemne, kërcënimesh emotive, paralamërimesh e lajmërimesh gjithfarësh me data egzakte, për fillimin e mosbindjes civile. Nga ajo që gjen duket sikur jetojmë në gjendje të vazhduar tensioni e konflikti të krijuar nga mosbindja civile e shqiptarëve kundër shtetit të tyre. Një togëfjalëshi që rri rregullisht varur mbi debatin politik shqiptar dhe që sa vjen e bëhet më qesharak, më pa peshë dhe më hipokrit, aq herë sa mosbindja rezulton një furtunë në gotën e ujit.

Mbrëmjen e të hënës u konsumua fabula e radhës me mosbindjen civile. Disa qindra njerëz, militantë të opozitës, bllokuan udhëtimin normal me makina të disa dhjetra mijëra njerëzve të tjerë, shqiptarë të thjeshtë që shkonin në punë të tyre. Në krye të bllokuesve prinin deputetë të opozitës, rrethuar me policë dhe përfaqësues mediash. Këto dy kategoritë e fundit i bënin protestat modeste të dukeshin pak më të mëdha seç ishin në të vërtetë. Në tre orë bllokim paqësor të rrugëve as mijërat e udhëtarëve të bllokuar nuk u bashkuan me qindrat e protestuesve, as këta të fundit nuk thyen e dogjën. Gjithçka u mbyll paqësisht, siç nisi. Kur deputetët lëvizën makinat nga rruga, në rrugë u kthye normaliteti.

Le t’ja vemë emrin që ka kësaj që po ndodh rrugëve të Shqipërisë: është një protestë politike, e thirrur nga një parti politike, e përkrahur nga militantë politikë e partiakë dhe me kërkesa gjithashtu politike! Mosbindja civile s’ka asnjë lidhje me këtë që pamë. Sepse së pari një lëvizje e tillë sfiduese duhet të ketë civilë në masë që të quhet e tillë. Fjala vjen, meqë flasim për rrugë e rrethrrotullime, do të duhej që mijëra shoferë në autostradën Tiranë-Durrës apo Elbasan e Milot, të fiknin makinat ose të refuzonin , kur të shkonin në shtëpitë e tyre, pagesën e faturave të dritave e ujit, apo edhe të bllokonin spontanisht lagjet e qytetet ku banojnë.

Në vend të kësaj, shohim djegie karrigesh në parlament, shkatërrim tabelash dhe reklamash në rrugët e Tiranës apo hedhje molotovi mbi selinë e partisë kundërshtare nga pak qindra vetë. Të tjerët, qindra mijë që shohin e dëgjojnë, vijojnë jetët e tyre. Në asnjë nga parimet që venë në lëvizje mosbindjen civile, nuk parashihet që protesta të filojë e të mbarojë brenda mureve të një godine (Kuvendit) apo në konturet e një rruge ose bulevardi. Mungesa e masivitetit është faktori kyç që skualifikon pretendimet dhjetëvjeçare të Sali Berishës e Lulzim Bashës për një lëvizje të tillë popullore në Shqipëri. Në të kundërt shqiptarët vijojnë të paguajnë taksat e larta, faturat e kripura dhe të respektojnë aq sa munden e duan ligjet e këtij shteti. Nëse ka evazion fiskal, e kjo është mëse e vërtetë, ai natyrisht që nuk e ka zanafillën te rrugica e Lirisë, apo te kërcënimet Gaz Bardhit!

Ka një mijë arsye për të protestuar sot në këtë vend. Jetojmë në një shtet të varfër, të paorganizuar dhe të korruptuar. Jetojmë në një demokraci të dobët ku ligji është ende opsion, jo detyrim. Ata pak pensionistë që sfidojnë moshën dhe dalin e protestojnë te Kryeministria për pensionet e tyre të ulëta janë shumë më të besueshëm sesa parada e makinave të shtrenjta të deputetëve opozitarë që bllokon qarkullimin në prani të pak militantëve që kanë shumë pak lidhje me mosbindjen e vërtetë civile dhe që pretendojnë qeverinë teknike, kur nuk ja dalin dot as kordonit të policëve anash rrugës! Dokrra hini, thonë në Shkodër.

Abuzimi me togëfjalëshin “mosbindje civile” daton që nga koha e Lulzim Bashës në krye të opozitës. Ka qenë një nocion me të cilin krerët e opozitës kanë luajtur në dekadën e fundit më së pari me atë pjesë të popullit që i voton dhe që u shkon pas. Ejani se do të shihni ç’do ndodhë! O burra me autobusë e furgona drejt “ditës së kjametit”. Qoftë në Tiranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, apo edhe në vend-takimet nëpër hartën laramane të rrugëve të Shqipërisë.

Prej një dekade PD ka krijuar një imazh dhe një pritshmëri false dhe të paprovuar në realitet, tek elektorati i saj besnik, të fuqisë së saj për të kolapsuar Shqipërinë në emër të axhendës së saj politike. Në fakt, siç u pa dhe të henën në mbrëmje, ka provuar pafuqinë për të sfiduar maxhorancën, duke ju prishur pasditen vetëm shqiptarëve të thjeshtë që udhëtonin në akset kryesore të vendit. Të kërcënosh pa pasur fuqi të arrish atë që ke si objektiv, është bumerangu më i panevojshëm dhe më i dëmshëm që mund t’i bësh vetes. Mosbindja e pretenduar civile është një akt i tillë vetëvrasës për opozitën dhe planet e saj në prag të zgjedhjeve.

Advertisement