Aktualitet
Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot
Qarku i Korçës është përballur me problematika të mëdha si pasojë e reshjeve. Për shkak të reshjeve intensive, lumi i fshatit Rrëmenj në Pogradec ka dalë nga shtrati duke pushtuar rrugët e banesat. Pamje apokaliptike paraqitet në zonën e Dardhasit, po në Pogradec. Rrëshqitja e dherave e bëri të pakalueshme rrugën e fshatit e cila ka pësuar çarje. Rrëshqitje që nuk ka kursyer as varrezat e fshatit, poshtë rrugës.
Prezencë të madhe uji edhe në Progër, ku hyrja e fshatit i ngjan një rezervuari. Mbrojtja civile ka njoftuar se prezencë uji ka edhe në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig Shamoll dhe Denas të qarkut Korçë. Argjinatura është çarë edhe në përroin e Oshticës ndërsa prurjet e Lumi Dunavec janë po ashtu të konsiderueshme.
Vetëm fati e ka shpëtuar drejtuesin e një mjeti nga pasojat fatale teksa po kalonte në aksin Qukës-Qafë Plloçë, rruga që i ka kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit por që sërish ka pasur rrëshqitje dherash e inertesh. Menjëherë sapo ka dalë nga tuneli, një masiv dheu ka rënë mbi automjet.
Reshjet e dendura të shiut të rëna në orët e fundit nxorën nga shtrati lumin e Vjosës, pranë Urës së Mifolit në Vlorë, duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore dhe rrezik për banesat përreth.
Niveli arriti deri në 7.1 metra. Deri më tani, raportohet për rreth 40 hektarë tokë të përmbytur. 13 familje me shtëpi pranë shtratit të lumit u evakuuan, ndërsa 14 të tjera rrezikohen. Reshjet intensive shkaktuan rrëshqitje të dherave në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, duke çarë fillimisht rrugën dhe duke shkatërruar 2 banesa menjëherë poshtë rrugës.
Niveli në rritje i prurjeve në lumin Vjosë, shkaktoi probleme edhe në krahun tjetër të urës së Mifolit, në fshatrat e Fierit Çerven, Kashishtë e Ferras ku tokat bujqësore janë brenda argjinaturës përgjatë lumit. Reshjet me intensitet të lartë dhe të zgjatura në 3 orë pa mbarim gjatë mëngjesit nxorën nga shtrati edhe përroin Lunjë në Lushnje, duke përmbytur disa toka të mbjella dhe serat në Karbunarë, por situata sipas autoriteteve është nën kontroll, pasi hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.
Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhoçes, përballë fshatit Lazarat. Ne vendngjarje janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim te rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.
ELBASAN
Në bashkinë Elbasan janë përmbytur 5 banesa në zonën e uzinës 12 te ish-Kombinatit Metalurgjik si pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Raportohet edhe për disa shtëpi të përmbytura në Belsh.
SHKODËR
Aktualisht zona në Obot është e aksesueshme vetëm nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë.
Situata në lumin Vjosë paraqitet kritike, pasi niveli i ujit ka arritur në 8.6 metra, duke sjellë evakuimin e 13 familjeve në zonat e rrezikuara të qarkut Vlorë. Autoritetet vendore dhe strukturat e policisë janë në terren dhe po monitorojnë nga afër zhvillimet.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se prurjet janë në pikën më të lartë dhe se orët në vijim do të jenë vendimtare.
“Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, tha Mersini.
Ajo shtoi se janë identifikuar edhe familje të tjera në zonë rreziku, të cilat mund të evakuohen nëse niveli i ujit rritet më tej.
“Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, u shpreh kryebashkiakja.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.
“Strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe, në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, deklaroi Çela.
Sipas autoriteteve, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shpresohet që ulja e prurjeve nga zona e Memaliajt të sjellë përmirësim gradual të gjendjes në 12 orët e ardhshme.