Politike
“Na kërko falje, pse nuk na urove për marrëveshjen”, Rama tallet me Macron për gafën e Trump
Pak para nisjes së Samitit të 7-të të Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen këtë të enjte, një video e shpërndarë në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen.
Në pamjet që po qarkullojnë, shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke i drejtuar një batutë presidentit francez, Emmanuel Macron, ku rikujton disa nga gafat e presidentit amerikan, Donald Trump.
Bëhet fjalë për rastet kur Trump ka ngatërruar Armeninë me Shqipërinë, duke thënë se kishte “shuar konfliktin me Azerbajxhanin”, edhe pse Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë konflikt me këtë vend.
“Ti duhet të kërkosh falje, këtu, ne të dyve, sepse nuk na urove për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit,” dëgjohet të thotë Rama në video.
Ngatërrimi i Trump – që në vend të procesit të paqes Armeni-Azerbajxhan përmendi Shqipërinë – ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.
https://www.instagram.com/p/DPTqLuigFvB/
Gjatë një interviste të gjatë në emisionin “Fox and Friends”, presidenti amerikan pretendoi se i kishte dhënë fund luftës midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë – dy vende që, për habinë e të gjithëve, nuk kanë qenë kurrë në luftë me njëra-tjetrën.
Kjo ishte hera e dytë që Trump bën të njëjtën gafë. Në gusht, gjatë një interviste në “Mark Levin Show”, ai përmendi “paqen mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, ndërsa në fakt i referohej konfliktit në Nagorno-Karabakh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.