Pinknews
Nata e parë e Eurovizion: Ja kush janë dhjetë vendet që vazhdojnë garën për finalen e madhe
Nata e parë e festivalit evropian të këngës ka nxjerrë 10 vendet që vijojnë garën për në finalen e madhe më 11 maj. Pas votimit të publikut në finalen e madhe do të shkojnë Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qiproja, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu.
Nata e parë “Eurovision Song” që mbahet në Malmo të Suedisë dhuroi një spektakël të vërtetë teksa festivali u hap nga këngëtarja me orgjinë shqiptare Eleni Foureira ndërsa eventi mban sloganin “Të bashkuar nga muzika”.
Mbrëmja e sotme shënoi gjysmëfinalen e parë të festivalit europian të këngës, ndërsa të enjten më 9 maj do të jetë gjysmëfinalja e dytë ku do të garojë edhe Shqipëria me këngëtaren Besa Kokëdhima.
E shtuna do të shënojë finalen e madhe më 11 maj prej nga do të dalë fituesi i festivalit evropian të këngës. Pas renditjes nga ana e organizatorëve të edicionit të 68-të të Eurovision 2024 Malmo, të gjithë shqiptarët, të cilët prej dekadash ndjekin këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane dhe botërore, do të kenë mundësinë të dëgjojnë përfaqësuesen e Shqipërisë në këtë edicion, Besa Kokëdhima më 9 maj, në gjysmë-finalen e dytë.
Eurovision 2024 transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni Shqiptar. Vetëm 20 shtete zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste dhe vendi mikpritës që është Suedia.