Connect with us

Aktualitet

Ndërkombëtarizimi i Universiteteve Shqiptare dhe Sfida e Integritetit Akademik

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Vendimi i Këshillit të Ministrave të datës 21 maj 2025 që lehtëson procedurat e hyrjes dhe qëndrimit të studentëve të huaj, shihet si një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion arsimor rajonal e ndërkombëtar. Synimi është tërheqja e të rinjve nga Ballkani, Evropa Juglindore, Lindja e Mesme, Azia, Afrika dhe India, duke e futur Shqipërinë në hartën e arsimit të lartë global. Por, suksesi i kësaj nisme nuk do të matet vetëm me rritjen numerike të studentëve të huaj, por me aftësinë për të garantuar cilësi dhe integritet akademik.

Përparimet institucionale dhe vendimet qeveritare

Vendimi i majit 2025 njeh burime alternative të të ardhurave për studentët e huaj (bursa, kontrata pune, grante) dhe i jep universiteteve shqiptare kompetencën për të lëshuar vërtetime akomodimi, duke shkurtuar burokracinë. Për më tepër, universitetet kanë detyrimin ligjor të raportojnë mbi ecurinë e studimeve të studentëve të huaj çdo gjashtë muaj. Ky hap i vendos institucionet shqiptare në një logjikë më të afërt me praktikat e vendeve europiane, duke i dhënë autonomi, por edhe përgjegjësi.

Mbështetja nga universitetet private ka qenë e menjëhershme. Ato shohin te ndërkombëtarizimi një mundësi për rritjen e pranisë së tyre në treg, përmes ofertës së programeve në gjuhë të huaj, diplomave të akredituara ndërkombëtarisht dhe kurrikulave më konkurruese. Liga e Universiteteve Private është krijuar pikërisht për të unifikuar programet, për të rritur kërkimin shkencor dhe për të synuar akreditim ndërkombëtar.

Problematika strukturore: integriteti dhe standardet akademike

Megjithatë, pengesa kryesore qëndron tek realiteti i arsimit të lartë shqiptar. Universitetet shqiptare – publike dhe private – vuajnë nga standarde të dobëta akademike, mungesë integriteti dhe një traditë problematike në menaxhimin e arsimit postkomunist. Kriza e universiteteve private, të cilat për më shumë se një dekadë shisnin diploma në mënyrë të paligjshme, ka lënë një trashëgimi mosbesimi tek shoqëria. Vetëm pas mbylljes së “fabrikave të diplomave” dhe përpjekjeve për reforma, sistemi është përpjekur të fitojë besueshmëri.

Rreziku kryesor është që nisma e ndërkombëtarizimit të shihet si një mundësi biznesi dhe jo si reformë cilësore. Universitetet private, të orientuara drejt tregut, mund të fokusohen te numri i studentëve dhe tarifat e tyre, duke e parë studentin e huaj thjesht si konsumator. Por, pa standarde të qarta akademike, pa kurrikula konkurruese ndërkombëtarisht, dhe pa garanci për cilësi, kjo nismë mund të dështojë.

Ky artikull është përgatitur nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) në kuadër të një nën-granti të dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), si pjesë e projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit: nga një sfidë vendore në një përgjigje evropiane”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Advertisement