Aktualitet
Në përgjim prej 5 muajsh, si ra në pranga drejtori i zjarrfikëses së Cërrikut
Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimet e kryera ditën e djeshme në Cërrik, ku në pranga ra drejtori i Zjarrfikëses së kësaj bashkie Artion Toci.
Mësohet se 36-vjeçari Artion Taci ishte vënë nën vëzhgim nga policia që prej 5 muajsh dhe mbahej në përgjim.
Para dhe pas zgjedhjeve rezulton se ai ka biseduar me mbi 40 persona të cilët mendohet se i ka ndihmuar të shmangin detyrimet ligjore që ata kishin, në lidhje me masat e sigurisë për mbrojtjen nga zjarri ne bizneset e tyre. Indicia për të nisur hetimet ka ardhur pas denoncimit të një qytetari.
Në pranga kanë përfunduar dhe dy vartësit e tij Armand Gjoka dhe Adnand Xhelili, përgjegjësi i OSHEE Cërrik Alban Shima dhe punonjësi i bashkisë së Cërrikut Agiano Dinoshi me detyre specialist në zyrën e taksave.
Mbi kreun e zjarrfikëses rëndojnë veprat penale të “Ushtrimit te ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore. Dy vartësit e tij akuzohen për “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Ndërsa punonjësi i bashkisë është arrestuar për lëshim të vërtetimeve false për disa biznese gjatë periudhës së fushatës zgjedhore të 14 majit. Po për këtë vepër penale është shpallur në kërkim edhe një 64 vjecar.
Për të pestë të arrestuarit gjykata e shkallës së parë elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Dosja pritet t’i kalojë prokurorisë së posacme.
Kreu i zjarrfikëses së cërrikut Artion taci ishte pezulluar nga puna pak kohë më parë. Nuk është hera e parë që 36 vjecari përfundon në prangat e policisë. Në janar të këtij viti ai është arrestuar nën akuzën “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt në gjendje të dehur”.