Kosova
Në vend të kritikave, Von der Leyen me lëvdata për Serbinë
Në një konferencë të shkurtër me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pasur shumë lëvdata e aspak kritika për Qeverinë e Serbisë dhe shtetin serb, për të cilin tha se “është një nga vendet më të avancuar në rrugën evropiane”.
Ajo shtoi se “ne duam që Serbia t’i bashkohet unionit” dhe se “oferta është e bazuar në besim, është premtim për paqe dhe prosperitet dhe është shans i veçantë”.
Ajo u kumtoi serbëve se është e bindur se ata “do ta kapni këtë moment” dhe theksoi se “Bashkimi Evropian do që Serbia “të bëjë hapin e radhës, përfshirë politiken e jashtme, sepse duam të mbështetemi te Serbinë si shtet aleat”.
Kur erdhi puna te ndërhyrja paraushtarake e trupave terroriste nga Serbia në banjskë në veri të Kosovës, Ursula von der Leyen, ngjarjet e 24 shtatorit hezitoi t’i quajë terroriste, duke thënë se ai ishte “një sulm i dhunshëm”.
Ajo nuk kritikoi Serbinë për mënyrën se si e ka trajtuar këtë rast e as nuk provojë të bëjë ndërlidhje mes shteti serb e paramilitarëve që me armë të ushtrisë serbe provuan të vendosin kontroll në Veriun e Kosovës.
Presidentja e Komisionit Evropian tha se “sulmi i dhunshëm i 24 shtatori është krejtësisht i papranueshëm” dhe gjithashtu, kërkoi që “sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë”.
Në fund të fjalimit të saj, Von der Layen doli te nevoja e normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj pohoi se “është e rëndësishme që Serbia duhet ta pranojë statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kurse Kosova duhet ta themelojë këtë Asociacion”.
Ajo gjithashtu shtoi se edhe Serbia “duhet të fillojë me implementimin e Marrëveshjeve të arritura”, pasi sipas saj, “Kjo është rruga e vetme përpara, është rruga më e mirë për të ndërtuar të ardhmen ku Serbia është pjesë e Bashkimit Evropian”.
Në fund të konferencës, fizikanes gjermane të transformuar në diplomate iu kërkua një sqarim shtesë për atë se çfarë nënkupton kur thotë se Serbia duhet të fillojë me zbatimin e Marrëveshjeve.
“Duhet të zbatohet Aneksi i Ohrit”, tha ajo, me një elaborim që vazhdoi duke konstatuar se “dokumentet e Kosovës të njihen nga Serbia dhe kjo shkon bashkë me themelimin e Asociacionit. Kjo, sipas saj, do të shtrojë rrugën për normalizimin e raporteve”.
Në fjalitë e fundit të saj, Ursula von der Leyen përsëriti se “ky është parakusht i domosdoshëm për shtegun drejt Evropës”.