Kosova
Negociator i shkëlqyer/ Pas dështimeve globale, Donald Trump mund t’u kthehet Kosovës dhe Serbisë

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, tha se deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë, duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”.
Sipas tij, premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis.
“Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore” – deklaroi Kupchan duke theksuar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste” dhe sugjeroi një qasje më pragmatike, që, siç tha, do ta ndihmonte Kosovën te avanconte interesat e saj.
“Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë shumë presion ndaj të dyja palëve. Një nga zhvillimet më pak pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit, sipas mendimit tim, është se kryeministri Kurti mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste. Ai ka ndërmarrë disa hapa për shtrirjen e autoritetit në veri, ka hezituar të ndërmarrë hapa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë edhe veprime të tjera që, në disa aspekte, kanë bërë që Prishtina të duket si problemi, e jo Beogradi” – deklaroi Kupchan

